Kosova

Beqaj: Padrejtësi nëse Thaçi, si më i përfoluri në raportin e Martyt, të mos ftohet nga Specialja

Analisti Belul Beqaj, në Interaktiv të KTV-së, ka folur për takimet e presidentit Hashim Thaçi me liderët politikë në vend.

Ai thotë se këto takime po bëhen për të bërë garë për ndikimin politik në Kosovë.

“Për 20 vite, Thaçi ka qenë politikani më me ndikim në Kosovë, dhe i njëjti s’e ka kuptuar realitetin e ri, që e ka sjellë në sipërfaqe një personalitet të ri. Thaçi që ka qenë gjatë 20 viteve në fokus të veprimeve, në shumicën e rasteve e ka pasur nën kontroll Kuvendin e Qeverinë, e Thaçi i sotëm që s’po pajtohet me pozitën e tij, po bën ‘spin’, të cilin e ka kuptuar Albin Kurti, duke dashur të thotë se ka përfunduar era e Hashim Thaçit dhe jam unë ku jam”, tha Beqaj.

“Nuk është në pyetje vetëm roli i Thaçit, dhe tendenca e tij për të qenë i paanashkalueshëm. Është arritur një koalicion i heshtur i opozitës, duke e instrumentalizuar opozita Thaçin, e Thaçi opozitën, duke tentuar të ndërpresin mandatin 4-vjeçar të qeverisë. Ne sot kemi një qeveri e cila po merret me disa çështje që s’do të duhej të ishin prioritet, sepse as premtimet s’i kanë pasur se dialogu do të jetë prioritet. Është një koalicion i Thaçit me opozitën, që po bëjnë përpjekje që sa më shpejt pushteti i Albin Kurtit të përfundojë”, u shpreh ai, duke shtuar se edhe mos-uniteti mes partnerëve të koalicionit po i ndihmon kësaj situatës.

Sipas tij, presidenti Thaçi, sa herë që gjendet në siklet, i ndërron edhe pikëpamjet e tij.

“Thënë të drejtën, nuk është ky përkushtim i Thaçit për një pro-amerikanizëm që po e thekson shpesh. Ai deshi ‘t’ua ngul thikën në shpinë’ amerikanëve duke tentuar ta shfuqizojë Gjykatën Speciale. Ai e vazhdoi edhe më tej këtë përpjekje. Ai po mendon se amerikanët do ta shpëtojnë nga Gjykata Speciale. Do të ishte padrejtësi që personi më i apostrofuar në raportin e Dick Marty të shpëtojë nga Gjykata Speciale”, theksoi Beqaj.

Ai foli për vendimin e Gjykatës Kushtetuese se kush është bartës legjitim i dialogimit me Serbinë.

“Dhe nëse amerikanët, që i kemi shembull të demokracisë, sillen në përputhje me vlerat e tyre konstitucionaliste, duhet ta respektojnë vendimin e Kushtetueses që Kryeministri duhet ta zhvillojë dialogun”, tha ai.

Beqaj tha se të themi se jemi vetëm me Amerikën ose Evropën, është e gabuar.

“Nuk duhet të shndërrohemi në viktima të kundërthënieve mes SHBA-së e Evropës. Është Thaçi që përsërit si lajtmotiv të vazhdueshëm se si Kosova tenton në proceset euro-atlantike. Nuk mundet ky Thaçi që, me vite të tëra të dialogut, të na thotë që synimi përfundimtar i Kosovës është të afrohemi në proceset euro-atlantike, e në këtë proces t’i harrojë proceset evropiane e të koncentrohet në proceset atlantike apo amerikane”, tha ai.

Ai shtoi se nuk do të thotë që çdo pushtet në SHBA është i dobishëm për Kosovën, por shtoi se duhet të sillemi siç sillet Amerika kur u rrezikohet interesi.

Për tarifën ndaj mallrave serbe dhe atyre të BeH-së, analisti Beqaj tha se tarifa ka qenë “budallaki ekonomike” fillimisht, por më pas, sipas tij, u bë “mençuri politike”.

“Tarifa, fillimisht, ka qenë e trajtuar si budallaki ekonomike. Çështja e konkurrencës së lirë në proceset globale është realitet i paanashkalueshëm. Por, kjo budallaki ekonomike në ndërkohë, për faktin se është paraqitur si pengesë politike për vazhdimin e procesit të zgjidhjes së problemit të Kosovës me Serbinë në kuptimin e korrigjimit të kufirit, u bë pengesë serioze dhe u bë mençuri politike”, u shpreh ai.

Synimi përfundimtar i dialogut, edhe i ndërkombëtarëve dhe i faktorit të brendshëm, sipas Beqajt, është njohja reciproke, por tha se duhet ta kuptojmë faktin se çfarë përmbajtje nënkupton njohja reciproke.

“Nuk mund të shkohet në vazhdim të procesit që nënkupton njohjen reciproke, njohje e cila nënkupton në përmbajtje defunksionalizim të shtetit në perspektivë ose e copëton shtetin në perspektivë. Pra, këto dy kushte duhet të kihen parasysh para se të vazhdojë procesi”, tha ai.

Ai tha se anëtarësimi në OKB nuk është çështje ekzistenciale, duke theksuar se Zvicra është anëtarësuar në këtë organizatë vetëm në 2002.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.