OPINION

Bën për Bozhiq pasi dështoi për Kërshëndella

Shkruan: Ramush TAHIRI
Shpresat se do të arrihet një lloj marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin të mëdha edhe kur Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi mbledhjen konstitutive të Kuvendit e shtyri për 26 dhjetor me arsyetimin se kur e ka caktuar për 24 dhjetor i ka ikur nga mendja se është Nata e Krishtlindjeve.

Por tash takimi ndërmjet Presidentit Thaçi dhe liderit të Vetëvendosjes Kurti, është caktuar të mbahet në Krishtlindjet ortodokse pra më 06 janar të vitit 2020 apo në Natën e Bozhiqit si e njeh populli i Kosovës ne traditën e vet popullore këtë festë fetare.

Edhe Presidenti edhe kandidati për Kryeministër, sigurisht jo vetëm për kurtuazi do t’i urojnë qytetarët e besimit ortodoks për këtë festë të madhe duke u uruar paqe, begati dhe harmoni, prosperitet e realizim te dëshirave dhe në këtë frymë festive do të duhej të ishte mbajtur edhe takimi Thaçi -Kurti, me një marrëveshje për emrin e të nominuarit nga Vetëvendosje për Kryeministër i cili do të dekretohej nga Presidenti Thaçi ose me së paku një pajtim në parim që ky emër do ti dërgohet Presidentit me shkrim gjatë kësaj jave aq më parë që sot Vetëvendosje i bëri publik pesë emrat e ministrave nga radhët e saja duke e njoftuar opinionin dhe qytetarët dhe duke kërkuar nga Lidhja Demokratike ti bëjë edhe ajo publik pesë emrat e saja për ministra.

Me këtë veprim Vetëvendosja dëshmon se e ka seriozisht synimin ta bëjë Qeverinë së bashku me LDK-në, gjithashtu tregon se pajtimi i deritashëm VV-LDK në program dhe në ndarje të ministrive vjen, e gjithashtu Kryeministrit Kurti fare nuk i intereson se kë e vë ministër LDK-ja. Pra LDK-ja e ka vullnetin absolut të lirë të caktoj emrat e ministrave e të zëvendësministrave si partner i barabartë i koalicionit.

Duket se LDK-ja ende seriozisht nuk është marrë me emrat, prandaj do të dalë me opsionin e rivlerësimit të marrëveshjes ose rindarjes së posteve pasi konsideron se emërimi kushtetues i Glauk Konjufcës si kryeparlamentar i ka prishur balancet e ndarjes së pushtetit ndërmjet këtyre dy partive kryesore .

Kjo mund ta qoj vendin sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare sepse nuk mund të pritet që Konjufca të dorëhiqet ose që LDK-ja të ndjek shembullin e VV-së dhe t’i bëjë publik emrat e qeveritarëve nga radhët e saja në qeverinë Kurti. LDK-së i nevojiten së paku dhjetë ditë diskutim i brendshëm dhe jo pa telashe për me i zgjedhë emrat e përfaqësimit.

Nëse vendi shkon në zgjedhje atëherë do të penalizohet fajtori dhe Vetëvendosje po ka shumë kujdes në veprimet dhe propagandën e saj që mos të konsiderohet fajtore për dështimin eventual të koalicionit.

Në teori ekziston edhe një mundësi që pasi të dështojë mandatari i parë atëherë Presidenti Thaçi në caktimin e mandatarit të dytë t’i shter të gjitha mundësitë që të evitojë mundësinë që Kosova të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Pra Presidenti duhet të bisedojë tash me të gjitha partitë parlamentare dhe të shoh mundësinë e bërjes së shumicës parlamentare prej së paku 61 deputetësh.

Në këtë ekziston gjasa reale për një Qeverie të spektrit të gjerë me pjesëmarrjen e sa më shumë partive..
Më e mira do të ishte marrëveshja VV-LDK, pra Qeveria e ndryshimeve me fokus në luftim të krimit e korrupsionit dhe të përfaqësimit dinjitoz të Kosovës si shtet.

Është një shpjegim rigjid prej juristëve, edhe voluntar se Presidenti dy herë duhet mandatarin e Qeverisë t’ia jap partisë së parë. Ky qëndrim jo parimor rrëzohet me faktin se një subjekt me 25 për qind të ulëseve në Kuvend nuk mund ta qojë vendin në zgjedhje se duhet një shumicë e konsoliduar për ta marr një vendim kushtetues dhe legjitim.

Gjithashtu nëse kandidati i parë i partisë fituese nuk arrin ta bëjë Qeverinë atëherë kandidati i dytë i të njëjtit subjekt edhe më pakë i ka mundësitë ta bëjë koalicionin qeverisës i cili votohet në Kuvend.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.