Kosova

BE’ja reagon pas sulmit ndaj gazetarit Visar Duriqi

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas sulmit fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Zyra e BE’së ka shkruar se presin që autoritetet të sjellin para drejtësisë sulmuesit.

“Thellësisht të shqetësuar nga sulmi ndaj gazetarit hulumtues Visar Duriqi. Gazetarët duhet të kenë mundësinë për të punuar në një ambient të lirë dhe të sigurt. Bëjmë apel tek autoritetet që të hetojnë shpejt incidentin dhe të sjellin sulmuesit para drejtësisë”, thuhet në reagimin e BE’së.

Pas trajtimit mjekësor që ka pranuar, gazetari hulumtues Visar Duriqi, ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës në Prishtinë, pasi një natë më parë u rrah brutalisht nga tre persona të maskuar.

Pas deklaratës në polici, Duriqi ka thënë per media se rrahja ka zgjatur rreth një minut e gjysmë, ndërsa sulmi ka nisur nga një person fillimisht, më pas janë përfshirë edhe dy të tjerë.

Ai tha se i ka katër dhëmb të thyer, nofullën dhe hundën të dëmtuar, si dhe lëndime të tjera.

Gazetari Duriqi pohon se kërcënime ka pranuar nga viti 2014-të, teksa shton se sulmi mund të ketë ardhur për shkak të punës së tij në dokumentarin hulumtues që e transmeton në TV dhe media online.