Kosova

Behramaj: VV e nisi peticionin për të manipuluar me qytetarë

Adil Behramaj, i cili është këshilltari i Presidentit Hashim Thaçi, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka nisur peticionin sa për të fituar kohë dhe për të manipuluar me qytetarë të numërtuar, duke u krijuar mundësi militantëve që me qindra herë të regjistrohen, pa iu nënshtruar kurrfarë filtrave dhe me çfarëdo identitetesh që duan.

Sipas tij, kjo i duhet VV-së në mënyrë që pas mbylljes së peticionit më 30 qershor të mund të dalin me konstatime se mbi 50 për qind e “popullit të vetëdijshëm” po kërkon zgjedhje, transmeton Klan Kosova.

“As ndarja e popullit në të vetëdijshëm dhe të pavetëdijshëm nuk ishte e rastësishme. Albin Kulti me filozofët oborrtarë është munduar gjithnjë të krijojë mite, sepse historikisht përdorimi i miteve i ka lëvizur vetëdijet shoqërore dhe masave ua ka shmangur konfrontimin me realitetin, që sundimtarët të mund t’i magjepsin dhe t’i kontrollojnë ato, duke ua imponuar botëkuptimet që duan”.

“Nuk është i rastësishëm as përdorimi i shpeshtë i fjalës “popull” nga ana e tyre, sepse kështu e eliminojnë ndjenjën e individualitetit”.

“Albin Kurti nuk i ka pranuar asnjëherë rregullat. Ai gjithnjë kërkon që të tjerët t’i përshtaten numrave dhe rregullave që i krijon dhe këto në Lëvizjen Vetëvendosje trajtohen si më të rëndësishme se ligjet e shtetit. Ky nënshtrim glorifikohet si akt patriotik në mesin e tyre dhe jo respektimi i rendit juridik shtetëror”.