Kosova

Bëhen pagesat e para për punëtorët e gastronomisë, pjesa e dytë të premten

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të punëtorëve që përfitojnë nga subvencionimi i pagave.

Murati ka shkruar se pritet që grupi tjetër të subvencionohet të premten.

“Sot, një ditë pas mbylljes së afatit për aplikim për masën mbështetëse të ekonomisë, është ekzekutuar pagesa për grupin e parë të punëtorëve që përfitojnë nga subvencionimi i pagave. Komisioni është duke shqyrtuar aplikacionet në vazhdimësi, ashtu që edhe grupi tjetër të procesohet të premten”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës pas mbylljes 12-ditore të pjesshme të gastronomisë, kishte miratuar vendimin për subvencionimin e pagave të punëtorëve dhe qiratë e lokaleve.