EKONOMI

Begolli: Duhen resurse të reja ujore dhe mbrojtje e ekzistueseve

Kosova ka mungesë të theksuar të ujit, ndërsa mungon mbrojtja efikase e resurseve aktuale, ka thënë Baton Begolli, i cili është këshilltar në Këshillin ndërministror për ujëra.

Sipas Begollit, është nevojë imediate që të zhvillohen resurse të reja, ndërkaq ato aktualet të mbrohen nga ndotja, shfrytëzimi i pakontrolluar e ndërtimi në zonat e mbrojtura ujore, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Kosova ka mungesë të ujit në dispozicion. Nëse i krahasojmë me akumulimet në rajon, akumulimet në Kosovë janë 290 metra kub për banor, kurse në rajon janë 696, gati trefishi”, ka thënë ai. “Kjo tregon se nuk ka ujë të mjaftueshëm në dispozicion, por njëkohësisht tregon se këtë që e kemi duhet ta mbrojmë. Këtu theksohet nevoja për zhvillimin e resurseve të reja ujore, por edhe për mbrojtjen e këtyre që janë. Të mbrohen nga ndotja, keqpërdorimi, tejshfrytëzimi e keqmenaxhimi”.

Begolli, në intervistën për gazetën “Koha Ditore” ka folur edhe për efektin e hidrocentraleve në mjedis, shkatërrimin e ekosistemit të lumenjve nga nxjerrja e zhavorrit, shmangien e pagesës së taksave nga ambalazhuesit e ujit, si dhe humbjet e mëdha të ujit derisa ai mbërrin te konsumatori.