Kombëtare

BE, konferencë donatorësh për të ndihmuar Shqipërinë pas tërmetit

Vendimin e njoftoi sot Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç, vendi i të cilit ka tani presidencën e radhës të Bashkimit Europian.

“Konferenca e donatorëve vjen pas tërmetit të tmerrshëm, që goditi Shqipërinë. Ne duam ta ndihmojmë Shqipërinë në rindërtimin e vet” – tha Presidentja Von der Leyen.

Ajo theksoi ndërkohë se muajt e ardhshëm do të jenë të rëndësishëm për Ballkanin Perëndimor, ku përmendi Samitin e Zagrebit si pjesë e procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian. Sipas saj, do të punohet për një metodologji që ta çojë përpara procesin e zgjerimit dhe të përmirësojë procesin e pranimit.

Presidentja Von der Leyen shprehu optimizëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se të dy vendet i kanë plotësuar kriteret e kërkuara, ndaj BE-së i duhet që të mbajë premtimet ndaj tyre.

Menjëherë pas tërmetit të 26 nëntorit, që shkaktoi 51 të vdekur, një mijë të plagosur 14 mijë të pastrehë dhe mijëra ndërtesa të shkatërruara, Komisioni Europian i dha Shqipërisë një grant fillestar prej 15 milionë eurosh.

BE, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore lëshuan një thirrje për ndihmë pas tërmetit në mes të dhjetorit, të cilat do të përmbyllen në konferencën e donatorëve. Ky plan i përbashkët do të qëndrojë në themel të përpjekjeve për rindërtim.

Në këtë proces janë angazhuar të marrin pjesë, krahas vendeve anëtare të BE-së, partnerëve të Ballkanit perëndimor, edhe vende të tjera, organizata dhe institucione financiare ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore.