Bota

BE-ja zgjat sanksionet kundër regjimit sirian

Bashkimi Evropian zgjati edhe për një vit sanksionet kundër presidentit sirian, Bashar Asad dhe zyrtarëve të tjerë të lartë politikë, oficerëve ushtarakë dhe përfaqësuesve të biznesit për shkak të goditjes së vazhdueshme të regjimit ndaj civilëve në vendin e shkatërruar nga konflikti.

Këshilli Evropian tha përmes një deklarate se sanksionet do të zgjaten deri më 1 qershor 2021, më shumë se një dekadë pas fillimit të konfliktit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se blloku “mbetet i përkushtuar të përdorë çdo mjet në dispozicion të tij për të nxitur një zgjidhje politike të konfliktit që do të përfitojnë të gjithë sirianët”.

Konflikti sirian është në vitin e tij të 10-të. Kombet e Bashkuara thonë se mbi gjysma e popullsisë është detyruar të largohet nga shtëpitë e tyre, më shumë se 11 milionë njerëz përfshirë 5 milionë fëmijë – kanë nevojë për ndihmë humanitare, dhe gati tetë milion njerëz nuk kanë qasje të sigurt në ushqim.

Tetë nga 10 sirianë jetojnë nën kufirin e varfërisë, duke fituar më pak se 100 dollarë në muaj, dhe vendi është zhytur në një krizë ekonomike.

BE-ja së pari vendosi sanksionet në maj të vitit 2011. Ato përfshijnë ndalime të udhëtimit, ngrirje të pasurive dhe masa që synojnë fusha siç janë importi i naftës dhe tregtia e pajisjeve që mund të përdoren për shtypjen e civilëve.

Lista e sanksioneve përfshin 273 persona, përfshirë anëtarët e familjes së Asadit, bashkëpunëtorët e ngushtë dhe strukturën e lartë ushtarake, si dhe 70 “entitete” siç janë organizatat dhe kompanitë e ndryshme.