Kombëtare

BE i thërret për dialog, pritet përgjigjja nga Kosova dhe Serbia

Bashkimi Evropian, në cilësinë e lehtësuesit, ka planifikuar të zhvillojë takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të dielën dhe të hënën e të martën e javës tjetër, por ende nuk është e sigurt nëse këto takime do të zhvillohen.

Nga burimet në Bruksel mësohet se i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, tashmë ka dërguar edhe thirrjet për këto takime, por zhvillimi i tyre do të varet nga përgjigjet e Beogradit dhe Prishtinës, njofton Radio Evropa e Lirë.

Blloku evropian ka ftuar palët që, në nivel të koordinatorëve për dialog të diskutohet të dielën me 27 shtator dhe të hënën me 28 shtator, ndërsa takimi në nivelin e lartë mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të zhvillohej të martën më 29 shtator.

Edhe pse i ka dërguar ftesat për takime, BE-ja nuk e ka bërë ende publike këtë dhe nuk ka shpallur mbajtjen e ndonjë takimi. Nga BE-ja kanë përsëritur se “sapo të kenë ndonjë vendim për këtë çështje do ta bëjnë pubik” njoftimin.

Pengesa kryesore për zhvillimin e takimeve të planifikuara nga BE-ja janë qëndrimet e palëve rreth diskutimit për marrëveshjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që diskutohet në kuadër të temave të ashtuquajtura ,“aranzhimet për komunitetet joshumicë”.

Përderisa në Kosovë vazhdojnë të insistojnë se kjo është “çështje e kryer” dhe nuk do të diskutohet për këtë në Bruksel, delegacioni i Serbisë e ka kushtëzuar praninë në vazhdim të dialogut pikërisht me gatishmërinë e Kosovës për të diskutuar për këtë temë.

Kryeministri Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media të enjten, tha se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumice serbe është e mbyllur dhe se nuk do të diskutohet më për të.

“Kjo temë nuk diskutohet sepse është mbyllur me marrëveshjen e vitit 2013 dhe pastaj marrëveshja tjetër me parime e vitit 2015 që në fakt e përmirëson marrëveshjen e viti 2013. Pra, kjo nuk është temë që hapet në procesin e dialogut”, tha Hoti.

Hoti nuk ka konfirmuar nëse takimi i ardhshëm në Bruksel me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i paraparë për 28 shtator, do të mbahet apo jo.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të enjten në një adresim për media, tha se Beogradi është i gatshëm të vazhdojë dialogun me Kosovën në Bruksel, por theksoi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është temë e pashmangshme.

Ai këto komente i bëri duke u përgjigjur në pyetjen nëse do të vazhdojë dialogu me 28 shtator.

Në ftesat e dërguara në Prishtinë dhe Beograd, për përmbajtjen e së cilave është njoftuar Radio Evropa e Lirë, BE-ja ka përmendur se propozon të diskutohet pikërisht për këtë temë si dhe të vazhdohet diskutimi për pretendimet financiare dhe pronësore mes palëve, për të cilat ishte diskutuar në takimin e fundit në nivel të ekspertëve.

Sa i përket takimit të liderëve, nëse ai zhvillohet, temat për të cilat do të diskutojnë do të caktoheshin ndërkohë./Syri/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.