Kosova

BE i përgjigjet Veliut: Nuk kemi informacione që Serbia po organizon transport të migrantëve për në Kosovë

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu ditë më parë i është drejtuar me një letrër shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ku ka shprehur shqetësimin e tij për transportin e migrantëve nga Serbia për në Kosovë.

Ministri Veliu vë theksin se përgjatë viteve të fundit, janë duke hasur në raste kur autoritetet serbe në mënyrë të organizuar grumbullojnë dhe më pas i transportojnë migrantët deri në afërsi të kufirit me Republikën e Kosovës, me qëllim që të njëjtit të kalojnë përmes rrugëve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë çështje, nga Zyra e Bashkimit Evropian kanë thënë për Telegrafin se sa i përket shqetësimeve të ministrit Veliu nuk kemi asnjë tregues në lidhje me shtyrjet sistematike dhe të organizuara nga Serbia në Kosovë.

“Ministri Veliu ka ngritur shqetësime publike në lidhje me rritjen e tranzitit të migrantëve nga Kosova në Serbi. BE monitoron nga afër kushtet e migrantëve dhe tranzitin në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit. Na duket se zhvendosjet e migrantëve vërtet janë konfirmuar në Serbi kohët e fundit. Sidoqoftë, kjo ka ndodhur kryesisht për të përmirësuar kushtet e migrantëve duke i zhvendosur nga qendrat e mbipopulluara afër kufirit verior dhe veri-perëndimor të Serbisë në qendra më pak të mbushura me njerëz. Sa i përket shqetësimit të shprehur nga Ministri , rreth shtyrjeve të mundshme të migrantëve duke përdorur dhunë fizike, në këtë kohë ne nuk kemi asnjë tregues në lidhje me shtyrjet sistematike dhe të organizuara nga Serbia në Kosovë”, tha për Telegrafin zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Dinka Zhival.

Më tej ata kanë theksuar se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën nga pala serbe dhe kosovare në kontakt të ngushtë me Ministrinë, me qëllim monitorimin nga afër të situatës dhe reagimin në kohë të çdo zhvillimi të mëtejshëm.

Ndryshe Agim Veliu në fund të letrës drejtuar shefit të BE-së në Kosovë, kishte shprehur shqetësimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me këto veprime të shtetit serb, të cilat sipas tij janë në kundërshtim me Konventat Ndërkombëtare të cilat garantojnë të drejtat e njeriut dhe të trajtimit të migrantëve.