Kombëtare

“BE do të ndihmojë Shqipërinë dhe për rindërtimin”

Komisionari europian për Menaxhimin e Krizave Janez Lenarçiç tha sot gjatë një vizite në Shqipëri se Bashkimi europian do të mbështesë vendin dhe në fazën e rindërtimit, duke theksuar se më parë është i nevojshëm të bëhet një vlerësim i nevojave. Komisioni europian ka vendosur organizimin e një konference donatorësh, për të cilën kryeministri Edi Rama tha se ka kërkuar që ajo të mund të zhvillohet brenda muajit Janar të vitit të ardhshëm

Vetëm pak ditë pasi ka marrë zyrtarisht detyrën, Komisionari europian për Menaxhimin e Krizave u gjend sot në Shqipëri për të parë nga afër situatën dhe për të kuptuar llojin e ndihmës për të cilën ka nevojë aktualisht vendi. Ai pati fillimisht një bisedë të gjatë me kryeministrin Rama në Shtabin e emergjencës në Durrës mbi gjendjen dhe problemet më urgjente që kërkojnë zgjidhje. AI deklaroi se vizita e tij është “një dëshmi e solidaritetit të Bashkimit europian ndaj Shqipërisë, qytetarët e së cilës duhet ta dinë se nuk janë vetëm në këto moment të vështira”, u shpreh ai.

Komisionari Lenarçiç vizitoi dhe zona të prekura si dhe një kamp të ngritur me tenda dimri nga Emergjenca civile italiane në zonën e Vorës. Ai pohoi se ndihma e dhënë që në çastet e para do të vijojë: “Tani jemi në fazën e dytë të vlerësimit të dëmeve, e cila do na cojë në një fazë të tretë që do e trajtojmë më vonë, atë të rindërtimit”

Edhe kryeministri Rama u shpreh se “Presidentja e Komisionit është angazhuar me ne, për të pasur një raport të detajuar të post-katastrofës e mbi bazën e atij raporti do të vihet në lëvizje mekanizmi i financimit të BE-së për rindërtimin, për aq sa mund të mbulojë natyrisht”.

Nga ana e tij Komisionari Lenarçiç, shpjegoi se “Komisioni europian është tanimë në kontakt me Kombet e Bashkuara dhe Bankën Botërore për përgatitjen e vlerësimit të nevojave”.

Komisioni europian vendoi dje dhe organizimin e një konference donatorësh për Shqipërinë, pavarësisht mbështetjes financiare që pritet të japë vetë. Kryeministri Rama tha se i ka kërkuar presidentes Von der Leyen që kjo konferencë të mund të organizohet brenda muajit janar. Të dielën në Stamboll, siç njoftoi kryeministri, në kuadër të konferencës së investitorëve të vendeve të besimit mysliman është parashikuar një panel i veçantë për rastin e Shqipërisë.

Ndërkohë sot parlamenti miratoi në parim buxhetin për vitin e ardhshëm. Sipas asaj që ka bërë të ditur me parë kryeministri, janë të paktën 59 milionë euro që do të vihen në dispozicion të përballimit të pasojave të tërmetit.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483