EKONOMI

BB: Në Kosovë është rritur punësimi, por s’ka rënë papunësia

Sipas raportit të Bankës Botërore, Kosova mund të përballet me papunësi gjatë vitit 2018.

Pavarësisht se përgjatë viteve 2016 dhe 2017 numri i të punësuarve ka shënuar rritje deri në 60 mijë të punësuar, njëkohësisht numri i kërkesave për punë nuk ka rënë, përkundrazi është rritur, raporton KTV.

Pjesëmarrja në fuqinë punëtore u rrit me 3.8 për qind dhe punësimi u rrit me 1.7 për qind, ndonëse edhe norma e papunësisë u rrit gjithashtu (me 3.3 për qind), duke arritur në 30.4 për qind. Punësimi nuk u rrit mjaftueshëm për të kompensuar për zgjerimin e fuqisë punëtore.

Sipas këtyre të dhënave, krijohet dilema nëse janë hapur vende të reja pune apo nga presioni, bizneset private vetëm kanë deklaruar punëtorët ekzistentë.

Studiuesit e tregut vendor thonë se arsyeja qëndron edhe në regjistrimin e një mase të punëtorëve që po punonin të padeklaruar.

Në Odën Ekonomike të Kosovës thonë se një pjesë e të punësuarve janë edhe nga sektori publik të cilat janë bërë gjatë këtyre viteve të krizave politike. Që sipas Safet Gërxhaliut vetëm do e shtjerrin buxhetin e shtetit.

Banka Botërore ka paraparë një rritje mesatare ekonomike prej 4.8 për qind për vitet 2018-2020, por vlerëson se ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme nga dinamika politike dhe ekzekutimi jo i plotë i programit të investimeve.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483