SPORT

Bayern apo PSG? Kush do të triumfojë sonte?

Mbrëmjen e sotme do të luhet finalja e madhe e Champions League. Në Lisbonë të Portugalisë, Bayern Munchen dhe PSG do të përballen për trofeun më të rëndësishëm të futbollit për klube.

Nga njëra anë sulmi i shpejtë i PSG me Mbappe, Neymar dhe Di Maria kurse nga ana tjetër “furia” bavareze me një mbrojtje e mesfushë të blinduar dhe më një Lewandowski në krye që nuk fal. Ndërkohë sot më në fund Champions League do të përfundojë pas një zgjatje prej 425 ditësh. Në mars kompeticioni më i rëndësishëm evropian për klube u ndërpre për më shumë se 3 muaj dhe kjo ndoshta do të jetë zgjatja më e madhe në historinë e saj.

Ekipi gjerman vjen si favorit pas fitoreve të thella në këtë kompeticion, ku bie në sy edhe goleada 8-2 ndaj Barcelonës. Nëse do të fitojë sot, klubi legjendar do të arrijë suksesin numër 6 në histori në Kupën e Evropës.

Ndërkohë, PSG mund të shkruajë historinë nëse triumfon sot, pasi për klubin francez do të ishte hera e parë në histori që ngre Champions League. Gjithashtu, është hera e parë për ta që arrijnë në një finale të këtij kompeticioni.

“Jam shumë i lumtur. Nuk do të bëjmë asgjë speciale në këtë takim sepse vetë kjo ndeshje dhe ajo që përfaqëson është tashmë speciale”, u shpreh përpara ndeshjes trajneri i PSG-së, Tuchel./t.ch/