SPORT

Batatina: Shkeljet statutare në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së do t’i drejtohen Prokurorisë

Trajneri i KF Llapit, Tahir Batatina ka thënë se për shkeljet në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së i cili mbajt sot do t’i drejtohen Prokurorisë.

Ai thotë se arsyeja pse ata lëshuan mbledhjen ishin pikërisht këto shkelje.

Batatina tutje shton se bashkë me 8 skuadra do ta shqyrtojnë mundësinë për mospjesëmarrje në kampionat.

“Ne shumë shpejt do të ndërmarrim hapin tjetër, ku 70 për qind e klubeve do të takohemi bashkërisht për të vendosur nëse do ta vazhdojmë kampionatin. Ne do ta shqyrtojmë mundësinë që lëndën ta dërgojmë tek organet kompetente për shkelje të statutit”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk dëshiron që të kenë armiq brenda klubeve.

Sipas tij, njëzëri kanë qenë që nëse janë pjesë e Komitetit nuk do të marrin paga mujore dhe me ato mjete të ndërtojnë stadiume në qytete.

“Ne i kërkuam kryetarit që më mirë është të vazhdojë federata me njerëz të futbollit e jo ata që janë mercenarë e marrin nga Futbolli. Ne duam t’i mbrojmë interesat e futbollit. Statuti i ri është në interesin e futbollit”, ka thënë ai.

Ai thotë se sot u dha një imazh shumë i keq para FIFA-s e UEFA-s.

“Unë besoj që do të ketë ndryshime dhe ato duhet të ndodhin. Nëse klubet e Super ligës nuk e njohin atë komitet unë nuk e di se për kë do të punojnë ata. Nuk janë të interesuar kryetarët e klubeve që ta udhëheqin super ligen sepse atë duhet ta bëjë Federata. Unë mendoj që sekretari gjeneral i ka parë shkeljet, mua më vjen keq që duhet të bërë kallëzim penal por ne duhet ta bëjmë”, ka thënë ai.

Batatina thotë se kombëtarja është pasardhëse e Fadil Vokrrit.

Sipas tij, nuk janë rezultate të FFK-së, duke shtuar se kjo hierarki është trashëguar nga Vokrri.

Duke folur për ndarjen e mjeteve financiare për portierin e ekipit Trepça ’89, Arben Beqiri, Batatina thotë se ata që marrin paga nga FFK-ja nuk ishin në gjendje të ndajnë mjete financiare për t’i ndihmuar atij.

“Besoj që opinioni e ka parë qartë se kush janë zhvatësit e futbollit. Ne bashkërisht u koordinuam që mjetet që do t’i marrim nga klubet, t’i ndajmë për një lojtarë i cili e ka një sëmundje të rëndë. Gjithë njerëzit që e lëshuam kuvendin i dhamë mjetet financiare për Arben Beqirin, por të gjithë ata njerëz të cilët i morën zarfet, ata që marrin pagë nga FFK-ja nuk ishin në gjendje t’i ndajnë disa mjete për këtë djalë”, ka thënë ai.

Ai thotë se i vetmi i cili ka mbet në kuvend e që e ka ndihmuar ishte nga klubi 2 Korriku.

Sipas tij, këta njerëz janë vetëm për të marrë mjete dhe jo për të dhënë.

Ai thotë se kombëtarja e Kosovës nuk do të ndikohet nga problemet që po e shoqërojnë FFK-në.

Batatina thotë se nuk e deshën shkarkimin e Ademit por kërkuan ndryshim statutar

Trajneri i KF-Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se në Kuvendin Zgjedhor të FFK-së nuk e kërkuan shkarkimin e kryetarit Agim Ademi por ndryshim statuar.

Ai thotë se zgjedhjet u mbajtën duke u shkelur ligji dhe në Kuvend u sollën njerëz të cilët nuk e përfaqësojnë asnjë skuadër.

Batatina në Interaktiv të KTV-së tha se FFK-ja ka licencuar në muajin e fundit shumë shkolla të futbollit për të bërë vota dhe t’i kalojë njerëzit e vet në Kuvend.

“Gjithmonë ka qenë ideja që të mendojmë dhe të japim më shumë për futbollin. Atë që bëri sot kryetari Agim Ademi, është ajo që e ka bërë para dy vjetëve kur të gjithë e dimë që është dashur të jetë mandati i mbetur i Fadil Vokrrit dhe jo ai katër vjeçar sepse nuk ndodh askund që të zgjidhet Komiteti Ekzekutiv e të mos zgjidhet kryetari”, ka thënë ai.

Ai thotë se nuk kërkuan që ta largojnë Ademin nga FFK po kërkuan ndryshim statutar, ku kërkohet që Komitetin Ekzekutiv të përbëhet nga kryetarët e klubeve. Ai thotë se për këtë u deponuan 30 nënshkrime.

“Unë kam qenë delegati i fundit që kam dalë nga Kuvendi dhe kur është bërë votimi i parë kanë qenë 27 vota dhe ishte pa kuorum. Por kur kanë dalë delegatët e pakënaqur atëherë ka filluar të bëhet rinumërimi i dytë dhe dëgjoja numrin kur kalonte nga 20 në 25. Doli në opinion që janë 37 vota, ne ishim të pranishëm 58. Si ishte e mundshme që janë 37 kur ne dolëm jashtë 28 delegatë. Unë i thash Ademit që nuk ka kuorum dhe ai insistonte me çdo kusht, duke e ditur që janë futur njerëz që nuk janë delegatë”, ka thënë ai.

Batatina thotë se Ademi deshi t’i qesë në lajthitje.

Ai thotë se nuk ishin të thirrur për ta rrëzuar Agim Ademin, duke shtuar se po të kishte besim që do të kalonte, Ademi do ta shpallte kandidaturën.

Ai thotë se tetë klube dolën nga Kuvendi i sotëm. Sipas tij, Ademi ka manipuluar me shumë delegatë.

Batatina thotë se kërkuan ndryshim statuar për ta rregulluar çështjen e futbollit.