SPORT

Basketboll, kryendeshjet luhen në Prishtinë dhe në Pejë

Ndeshja Feronikeli – Bashkimi e hap xhiron e 27-të të Superligës së Kosovës në basketboll. Kjo ndeshje luhet të shtunën nga ora 17:00, ka njoftuar FBK-ja.

Një ndeshje tjetër e së shtunës pritet të ofrojë basketboll më të mirë. Nga ora 19:00 takohen kampionia në fuqi Sigal Prishtina dhe Golden Eagle Ylli. Kjo ndeshje luhet në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Prishtina të enjten mbrëma emëroi trajnerin e ri, qipriotin Antonis Constantinides, që do të synojë fillim të mbarë. Prishtina është e para në tabelë me 40 pikë, sa i ka edhe Rahoveci në vend të dytë. Vetëm një pikë më pak e ka Golden Eagle Ylli në vend të tretë. Në fakt Ylli ka treguar formën më të mirë këtë vit, por në xhiron e kaluar pësoi nga Peja në shtëpi.

Peja – Rahoveci është kryendeshje tjetër e kësaj jave. Luhet të dielën nga ora 17:00 në palestrën “Karagaçi”. Peja e ka fituar Kupën dhe tani synon edhe titullin e kampionit. Renditet e katërta me 37 pikë, sa i kanë edhe Ponte Prizreni e Bashkimi.

Ndeshja Lipjani – Trepça, që luhet të dielën nga ora 19:00, është e fundit e xhiros së 27-të.