EKONOMI

Bashkojnë forcat OEK dhe USAID, për hir të “Drejtësisë Komerciale”

Oda Ekonomike e Kosovës bashkë me projektin e USAID-it për Drejtësi Komerciale kanë nënshkruar një Memorandum në funksion të forcimit të bashkëpunimit midis palëve, në fushat me interes të përbashkët.

Objektivat kryesore të këtij memorandumi përfshijnë bashkëpunimin midis dy palëve me qëllim të mbështetjes së Odës Ekonomike të Kosovës për të zhvilluar më tej punën drejt ndërgjegjësimit, efikasitetit dhe përdorimit të metodave alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve siç janë arbitrazhi dhe ndërmjetësimi dhe kuptimit me të mirë të legjislacionit komercial. Ky Memorandum i Bashkëpunimit bazohet në parimet e koordinimit të mirë dhe angazhimit të sektorit privat në përmirësimin e drejtësisë komerciale.

“Bashkëpunimi synohet përmes shkëmbimit të informacioneve, organizimit më të mirë të aktiviteteve në lidhje me promovimin e arbitrazhit, mbledhjen e të dhënave, statistikave, vlerësimeve dhe aktiviteteve të tjera të ndërlidhura. Ky bashkëpunim ka për qëllim edhe ofrimin e ndihmës lidhur me ligjet dhe politikat që prekin bizneset dhe angazhimit aktiv të sektorit privat në dialog për përmirësimin e drejtësisë komerciale. Mes tjerash, synohet të organizohen tryeza, seminare, takimeve e iniciativa të ndryshme si dhe vizita të ekspertëve nga të dy palët”, thuhet në njoftim.

Me rastin e nënshkrimit të këtij Memorandumi, kryetari i OEK, Berat Rukiqi tha që kjo marrëveshje konkretizohet pas një komunikimi të vazhdueshëm dy palësh mes institucioneve tona dhe rrjedhimisht kulmon bazat e bashkëpunimit mes sektorit privat të përfaqësuara nga Oda Ekonomike e Kosovës dhe projektit të USAID për drejtësi komerciale.

Tutje, Rukiqi tha që kjo marrëveshje është në kuadër të lehtësimit të kushteve të të bërit biznes në vend sidomos te pjesa që ka më shumë probleme, pjesa e sundimit të ligjit dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

Christopher Thompson, drejtues i Projektit të USAID për Drejtësi Komerciale theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Odën Ekonomike të Kosovës, si një ndër partnerët kyç në zhvillimin e mëtejmë të drejtësisë komerciale në shërbim të qasjes më të mirë dhe efikase në drejtësi për bizneset.