Kosova

Bashkimi problematik i ministrive

Reduktimi i ministrive të Qeverisë së Kosovës, nga 21 sa kanë qenë deri më tash, në 12, siç kanë paralajmëruar partitë që synojnë formimin e koalicionit qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, sipas organizatave joqeveritare, “Demokraci Plus” dhe “Çohu”, do t’i ketë anët pozitive, por mund të përcillet edhe me probleme, të cilat do të ndikojnë edhe në performancën e qeverisë së ardhshme.

Sipas tyre, reduktimi i numrit të ministrive do të jetë i kushtëzuar me bashkimin e disa ministrive ekzistuese dhe kjo mund të ndikojë në agjendat e ministrive përkatëse, të cilat janë në zbatim e sipër.

Visar Rushtiti nga “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë që tashmë ekzistojnë paralajmërime se Ministria e Integrimit Evropian do të bashkohet me Ministrinë e Punëve të Jashtme, si dhe Ministria e Administratës Publike dhe Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal do të bashkohet me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Bashkimi i këtyre ministrive, sipas tij, mund të ndikojë në agjendat përkatëse.

“Agjenda e integrimeve evropiane, mund të ndikohet për shkak të organizimit të Ministrisë së Integrimit Evropian, ashtu siç është propozuar, në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme. E dyta është reforma e administratës publike, e cila, po ashtu, mund të ndikohet nëse, siç është propozuar, Ministria e Administratës Publike bëhet së bashku me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Rushiti.

Rushiti shtoi se opsioni më real do të ishte që organizimi i integrimeve evropiane të bëhej në kuadër të një agjencie apo sekretariate në kuadër të zyrës së kryeministrit.

Sipas tij edhe reforma e administratës publike do të ndikohet në qoftë se Ministria e Administratës Publike bëhet pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Rrjedhimisht, siç thotë ai, Ministria e Administratës Publike duhet të mbetet e vetme, sikurse që ka qenë deri më tash.

Mendim të përafërt ka edhe Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet – Çohu. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai vlerëson që fuzionomi i ministrive mund të shkaktojë telashe të mëdha për qeverinë e ardhshme.

“Bashkimi i këtyre ministrive ka për t’u shkaktuar shumë telashe, sidomos kur po synojnë t’i bashkojnë disa ministri, si për shembull (Minisitrinë e Administrimit) të Pushtetit Lokal me atë (Ministrinë) e Punëve të Brendshme , që nuk kanë kurrfarë lidhshmërie në mes vete. Do të ketë telashe edhe me agjendë, në përcaktim të agjendës dhe te ligjet. Kur të fillojnë t’i ndryshojnë ose t’i hartojnë ligjet e rejat, do të kenë shumë telashe”, theksoi Demhasaj.

Megjithatë, reduktimi i numrit të ministrive, sipas Rushitit, është shprehur si domosdo nga shoqëria civile që moti. Reduktimi i paralajmëruar, siç thotë ai, në 12 ministri do të shkaktojë telashe me akomodimin e zyrtarëve që punojnë në ministritë aktuale.

“Mirëpo, ky nuk është proces, i cili mund të bëhet për një apo dy muaj. Ne kemi thënë që Qeveria duhet ta kërkojë votën në Kuvend, me 12 ministri. Të zgjedhë 12 ministri sipas fushave. Duhet zgjedhur fushat, të cilat duhet të jenë në kuadër të këtyre 12 ministrive dhe pastaj, këto nëntë ministritë tjera, duhet të akomodohen dhe organizohen si pjesë e këtyre 12 të parave, në mënyrë graduale. Ndoshta i tëri një mandat im plotë, 4 vjeçar, kalon derisa të bëhet një sistematizim i plotë dhe i mirëfilltë i të gjithë atyre, që mund të themi kushtimisht, që janë tepricë në këto nëntë ministritë tjera”, u shpreh Rushiti.

Por, Demhasaj thotë se problemi me të cilin do të ballafaqohet qeveria e ardhshme, në rast se i redukton ministritë sipas paralajmërimeve, do të jetë delegimi apo akomodimi i nëpunësve që kanë kontrata me Qeverinë. Në rast se ata largohen nga puna, sipas tij, mund ta padisin në gjykata Qeverinë dhe kjo mund të sjellë pasoja financiare për këtë të fundit.

“Nuk nënkupton vetëm ajo që e bashkove ministrinë dhe një ministër, por më vonë janë telashet që vijnë te stafi. Tash, t’i largosh ata nga puna, nuk është zgjidhje, sepse ata kanë kontrata dhe e padisin Qeverinë dhe mund ta fitojnë rastin në gjykatë, për shkak se u është bërë e padrejtë atyre. Fillimisht është problem edhe që fizikisht t’i bashkosh (ministritë), sepse një pjesë të stafit e ke diku dhe një pjesë të stafit diku tjetër”.

“Kontrolli nuk mundet të jetë i përditshëm nga ana e sekretarit ose sekretariatit në përgjithësi. Kjo më pas mund të shkaktojë telashe dhe performanca mundet të jetë e dobët, sidomos në fillim, derisa të rregullohet se si kanë për të funksionuar këto ministri”, vlerësoi Demhasaj.

Demhasaj shtoi se reduktimi i administratës publike, nënkupton edhe reduktimin e stafit.

Kosova, në vazhdimësi ka pasur vërejtje nga ana e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe nga Raporti i progresit për Kosovën, që administrata publike është e ngarkuar tej mase.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.