Kosova

Bashkimi dhe ndarja e LVV- LDK

Pas votimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, ju sjellim një kronologji të mospajtimeve që çuan në prishjen e koalicionit qeverisës ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 tetorit, 2019, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës negociuan me muaj arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje.

Kur bisedimet përfunduan dhe u votua Qeveria e re nga Kuvendi i Kosovës, në fakt dukej se partnerët e rinj të koalicionit ishin marrë vesh për të gjitha modalitetet qeverisëse, përveç njërit: shfuqizimit të tarifës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina, sado që në programin e tyre thuhej se tarifa duhet zëvendësuar me reciprocitet.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar me ngulm heqjen e tarifës, në mënyrë që të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje paqësore.

Më 27 shkurt, kryeministri, Albin Kurti njoftoi se ka vendosur që tarifën ndaj mallrave serbe ta heqë me faza dhe jo me një vendim për shfuqizimin e plotë të saj.

“Është shenjë e gatishmërisë sonë për fillim të zgjidhjes së mirëfilltë të mosmarrëveshjeve ekonomike, tregtare dhe politike me Serbinë”, pati thënë Kurti.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, menjëherë reagoi duke kërkuar nga Kurti që tarifën ta heqë plotësisht tarifën dhe të përmbushë kërkesat amerikane në këtë drejtim.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria duhet të heqë tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës dhe të rinisë dialogun me Serbinë.

Sipas tij, përfshirja e Shteteve të Bashkuara në këtë proces ka ndryshuar dinamikën e negociimit.

Me planin e Kurtit për heqjen e pjesshme të tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë nuk u pajtuan as Shtetet e Bashkuara. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, tha se është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.

Richard Grenell në një postim në Twitter, pati shkruar se “nuk i mbështes masat gjysmake të kryeministrit Kurti”.

“Pozicioni ynë është mjaft i qartë: tarifat duhet të hiqen plotësisht. Kurti është duke bërë një gabim serioz – dhe kjo i është bërë sot e qartë presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë”, kishte shkruar Grenell më 27 shkurt.

Më 13 shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në një letër, se shpreson që prioritete të liderit të ri të jenë heqja e tarifës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, dhe njohja e ndërsjellë me Serbinë.

“Heqja e tarifave në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës do të jetë e rëndësishme për kthimin e palëve në tavolinën negociuese. Ne shpresojmë dhe presim që ju do ta bëni këtë gjë prioritet dhe do të përfitoni nga momentumi i krijuar pas dy letrave të qëllimit për të krijuar lidhje ajrore dhe hekurudhore në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, kishte shkruar Pompeo.

Tarifa 100 për qind u vendos në nëntor të vitit 2018 nga Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj. Kjo tarifë është vlerësuar si pengesë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi kjo e fundit ka refuzuar që të kthehet në tavolinën e bisedimeve pa u hequr kjo masë.

Shkarkimi i ministrit të LDK-së, përçarja përfundimtare e koalicionit

Më 15 mars, kur edhe pritej të merrej vendimi për heqjen e pjesshme të taksës, kryeministri Kurti, tha se ende nuk e kishte bindur partneren e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës, që tarifa 100 për qind të zëvendësohet gradualisht me reciprocitet.

Kosova tashmë kishte filluar të ndërmarrë masat kundër përhapjes së koronavirusit të ri, në bazë të udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë e cila e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.

Qeveria e Kosovës shpalli gjendje emergjente të shëndetit publik, por kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kërkoi të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.

“Duhet të veprohet sa më shpejt edhe me gjendje të jashtëzakonshme, sepse po përballemi me një fatkeqësi e cila po shpërndahet në tërë territorin e Kosoves. Pse të pritet më shumë. Kushtetuta ka folë qartë!”, kishte shkruar Mustafa në Facebook.

Disa orë më vonë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një konference për media, tha se do të propozojë në Kuvendin e Kosovës dekretin e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pas situatës së krijuar me shpërthimin e koronavirusit të ri. Ai tha se vendimi është marrë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i cili mbajti një takim në orët e mbrëmjes më 17 mars.

Menjëherë pas deklarimit të Thaçit, zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, tha se në emër të kryeministrit Kurti dhe qeverisë e kundërshton këtë propozim duke e quajtur si masë ekstreme.

“Kryeministri ka shprehur qëndrimin e tij se nuk është në pajtueshmëri me masën ekstreme të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme të cilën e ka propozuar presidenti sonte. Ne mendojmë që për një gjendje të tillë duhet të përcillet situata, sigurisht edhe të veprohet në momentin e duhur kur e kërkon nevoja dhe kur vendi gjendet ne një situatë që kërkon një veprim të tillë”, tha zëvendëskryeministri Haki Abazi.

Një ditë më pas, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka shkarkuar nga detyra ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, që është edhe nënkryetar i LDK-së.

Përmes deklaratave të bëra publikisht, “por jo edhe të mbështetura me qëndrime të tij në mbledhje të brendshme”, Veliu ka “dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së Kurtit.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i cili paralajmëroi edhe fundin e koalicionit qeverisës.

“Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, tha Mustafa në një postim në Facebook.

Nënkryetari njëherësh zëvendëskryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike, Avdullah Hoti, tha se “Kurti nuk e ka shkarkuar Veliun, por veten e tij”.

Më 18 mars, kreu i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha se konfirmoi inicimin e mocionit të mosbesimi për qeverinë.

Zyrtarë të LDK-së njoftuan se janë vënë menjëherë në lëvizje për të mbledhur nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për të thirrur një seancë të Kuvendit të Kosovës për mosbesimin e qeverisë Kurti.

Iniciativa për mocion mosbesimi gjeti përkrahjen edhe të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

Krahas procedurës së thirrjes së seancës për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, më 20 mars i bëri edhe njëherë thirrje Kurtit të shfuqizojë tarifën dhe të tërheqë vendimin për Veliun.

“Edhe sot përulem para popullit tim dhe kërkoj mirëkuptim nga partia ime. Pres edhe sot që zoti Kurti ta heqë tarifën, ta anulojë vendimin për shkarkimin e z. Veliu. Atij dhe LDK-së t’i kërkojë falje për veprimet e tij dhe të atyre me të cilët ka bashkëpunuar në këtë akt të ulët. Të na japë mundësinë të jemi bashkë në këtë betejë”, tha Mustafa në një postim në Facebook.

Në të njëjtën ditë, Qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për heqjen e tarifës për importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar në Facebook se “u votua me 10 vota për dhe 2 abstenime vendimi për të liruar nga tarifa 100% importin e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Lidhja Demokratike ndërkohë e kishte proceduar në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës kërkesën për seancë ku do të votohej mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë, dhe kryesia vendosi që seanca të mbahet më 25 mars.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje deputetëve që të mos e përkrahin mocionin në këto rrethana, kur COVID-19 po paraqet kërcënim për jetën e qytetarëve.

“Absolutisht nuk e përkrahi këtë mocion dhe natyrisht i bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta përkrahin këtë mocion sepse as nuk është në kohën e duhur, por mbi të gjitha nuk do t’i prodhojë Kosovës një qeveri tjetër që ka legjitimitet ose që mund të merret me sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova”, tha Osmani.

Qytetarët me protestë kundër përplasjeve politike

Në Kosovë u shënuan dhjetëra të prekur nga koronavirusi i ri dhe qytetarët po ballafaqohen me izolim. Të organizuar përmes rrjeteve sociale ata po mbajnë protesta simbolike në kundërshtim të përplasjeve politike që e kanë përfshirë vendin.

ShBA-ja dhe evropianët me reagime të ndryshme

Para se të kumtohej vendimi i kryesisë së kuvendit për mbajtjen e seancës, vendet e Quint-it dhe Bashkimi Evropian u bën thirrje partive dhe liderëve të Kosovës që t’i lënë anash mosmarrëveshjet dhe të bëhen bashkë për të luftuar kërcënimin aktual në mbarë botën, COVID-19.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një deklaratë të përbashkët kërkuan që “në momentin e vështirë si ky, u bëjmë thirrje të gjithë liderëve institucionalë dhe politikë që të përqendrohen në COVID-19 duke respektuar dispozitat kushtetuese dhe autoritetin që u është besuar atyre përmes Kushtetutës”.

“Në këtë moment kritik, i nxisim ata të ruajnë dhe sigurojnë integritetin dhe funksionalitetin e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës dhe t’i japin përparësi luftës kundër COVID-19 në Kosovë e jo politikës, duke ju kujtuar se vendet tona kanë marrë të gjitha masat të jashtëzakonshme në këtë drejtim”, thuhej në deklaratën e përbashkët të ambasadave të vendeve të Quint-it.

Edhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të gjitha institucionet të punojnë së bashku në harmoni me Kushtetutën.

Megjithatë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett tha se ishte “i kënaqur” që Kuvendi i Kosovës do të mbante seancën për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

“I kënaqur të shoh kuvendin që ka vendosur të mbajë seancë nesër lidhur me mocionin e mosbesimit. Siç i thash edhe sot kryeministrit (v.j. Albin Kurti), është e rëndësishme që kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter më 24 mars.

Këtë postim të ambasadorit Kosnett e ka mbështetur edhe i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.

Në anën tjetër, Gjermania dhe Franca kërkuan nga Lidhja Demokratike e Kosovës të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë dhe të ndihmojë ekzekutivin e vendit të përballet me kriza.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Christin Heldt ka njoftuar se së bashku me zyrtarët francezë, i kanë nisur një notë proteste zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti, që të kërkojë nga lideri i partisë së tij, të qëndrojë në qeveri.

“Ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës i kanë nisur kërkesë të përbashkët zëvendëskryeministrit Avdullah Hoti që të njoftojë kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa mbi shqetësimet e dy shteteve tona, që të qëndrojë në krah me popullin e Kosovës në këtë krizë. E ftojmë LDK-në të rishqyrtojë vendimin për mocionin e mosbesimit dhe të mbajë qeveri të besueshme dhe të qëndrueshme për t’u përballur me sfidat”, shkruan ambasadori Heldt në një postim në Twitter.

Pas reagimit të ambasadorëve, edhe ministritë e Jashtme të Gjermanisë dhe Francës lëshuan një deklaratë të përbashkët, ku shprehin shqetësimet e tyre lidhur me situatën politike në Kosovë, në kohën kur, siç thuhet “është i nevojshëm uniteti politik për t’u përballur me krizën e COVID-19”.

Ndaj, situatës së krijuar reaguan edhe organizatat joqeveritare në Kosovë. Përfaqësuesit e 12 organizatave joqeveritare në Kosovë, krerëve të shteti u kanë dërguar një letër të hapur.

Ata thanë se Kosova ndodhet në fazë tejet të ndjeshme në luftën kundër shpërndarjes së mëtutjeshme të virusit COVID-19.

“Në këto momente kritike, ne organizatat joqeveritare nga shoqëria civile vlerësojmë që ndërmarrja e iniciativave nga subjektet politike parlamentare për shkarkimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie të re është jo në kohën e duhur. Votimi i mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, ndonëse është e drejtë kushtetuese e partive politike parlamentare, rrezikon të fusë vendin në krizë politike e institucionale dhe të nxisë pakënaqësi qytetare, që tani vendit i duhen më së paku”.

Këto organizata nga shoqëria civile vlerësojnë se aktualisht shëndeti publik dhe qetësia qytetare duhet të jenë imperativ për tërë spektrin politik.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483