SPORT

Bariu që ndaloi Cristianon , ja kush është Beiranvand

T’i presësh 11-metërsh Cristiano Ronaldos nuk është gjë e vogël. Ta bësh në Botëror, duke mbrojtur portën e vendit tënd, është diçka që Alireza Beiranvand do t’ia tregojë nipërve e mbesave të tij.

Portieri i Iranit ka një histori të jashtëzakonshme. I arratisur nga një familje barinjsh, ka fjetur në rrugë duke bërë punët më të ulta.

Mundësia e madhe iu shfaq falë aftësisë së tij për të hedhur gurë, me të cilët gjuante kafshë në Lorestan. Dikush që e pa talentin e tij në hedhjen e gurëve, e mori në provë për t’u bërë futbollist. Beiravand kishte dëshirë të luante sulmues, por dëmtimi i portierit të skuadrës bëri që ta vendosnin mes shtyllave.

Por, kishte një problem të madh. Familja nuk e mbështeste në karrierën e tij sportive.

“Babai im nuk e donte futbollin sepse mendonte se stërvitja më hante kohën e punës me të cilën mbahej familja. Disa herë më ka grisur dorezat dhe më është dashur të pres topa me duar zbuluar. U arratisa sepse nuk jetoja dot më me familjen time. Punoja dhe luaja futboll. Kam bërë pica, kam punuar si pastrues, në lavazh. Derisa në vitin 2011 kalova në skuadrën e parë të Naft Teheranit”, tregon portieri për “The Guardian”.

Ai u veçua për një cilësi: e hidhte topin me dorë në distanca të mëdha. Në kualifikueset e “Rusi 2018” nuk ka pësuar asnjë gol në 12 ndeshje, por ndaj Cristiano Ronaldos priti penallti dhe tani është njeriu i momentit në atdheun e tij.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.