Kombëtare

Barishiq: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria i kanë plotësuar kriteret për BE

Ambasadorja kroate në Kosovë, Danijela Barishiq, në një intervistë për emisionin “Rubikon”, në KTV, ka thënë se ndër prioritetet e këtij vendi gjatë kryesimit të Parlamentit Evropian do të jetë fokusimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ajo ka paralajmëruar në fillim të majit të këtij viti, samitin e Bashkimit Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit.

“Ne do të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për ta ndryshuar këtë qëndrim. Vendimi nuk u mor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe neve na vjen shumë keq për këtë, por ne do të bëjmë gjithçka që të hapen negociatat për këto dy shtete, sepse ky është vetëm fillimi i rrugëtimit, nuk është anëtarësim, por një rrugëtim shumë i gjatë, por është shumë e rëndësishme ta nisim këtë udhëtim, sepse ne mendojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar të gjitha kriteret”, ka thënë Barishiq.

Ajo ka shfaqur optimizëm për një marrëveshje të përbashkët ndërmjet të gjitha vendeve anëtare.

“Të mos harrojmë se Komisioni Evropian ka thënë se të dyja vendet janë gati, kështu është thënë edhe nga Parlamenti Evropian, por në fund varet nga vendet anëtare, natyrisht. Por, ne mendojmë se do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët, një marrëveshje të përbashkët për hapjen e negociatave”, ka thënë Barishiq.