Kombëtare

Banorët në Tërpezë s’e duan ambulancën në afërsi të shkollës

Banorët e fshatit Tërpezë janë të pakënaqur me vendimin e Komunës së Vitisë, i cili parasheh që objekti shëndetësor të ndërtohet në afërsi me shkollën.

Ata vlerësojnë se Komuna dëshiron që të ndërtojë objektin shëndetësor në një hapësirë të vogël.

Thonë se me këtë projekt do të cenohet edhe hapësira e shkollës.

Kryetari i fshatit Terpezë, Gazmend Salihu, deklaron se ambulanca duhet të ndërtohet në afërsi me lapidarin e dëshmorëve, e cila është pronë publike.

Thotë se me këtë ide të banorëve është pajtuar edhe një donator, i cili ka shprehur vullnet për ndërtimin e saj, raporton KOHA.

Ndërkaq komuna është duke negociuar me një donator nga shteti i Kuvajtit, të cilët kanë shprehur vullnetin për përfshirjen e tyre në projektin e ndërtimit të ambulancës.

“Kemi planifikuar që të fillojmë ndërtimin e një ambulance të re këtë vit dhe kemi ndarë edhe mjetet vetjake për ndërtimin e saj, por jemi në bisedime me një shoqatë të Kuvajtit, po shpresojmë që ata të marrin përsipër dhe të ndërtojnë objektin e ri”, ka thënë drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vitisë, Basri Aliu.

Ai ka shtuar se lokacioni në vlerësimin e tyre është i përshtatshëm.

Në mungesë të objektit shërbimet shëndetësore për këta banorë ofrohen në podrumin e xhamisë së fshatit.