Kombëtare

Banorët në Mitrovicë duan shkollë, jo xhami

Banorët e lagjes ‘Sylani’ në Mitrovicë të Jugut, që nga viti 2017, janë duke kundërshtuar ndërtimin e një xhamie në këtë lagje, nga persona, të cilët sipas tyre, janë jokompetentë.

Ndonëse thonë se nuk janë kundër ndërtimit të një xhamie, halli i tyre është te një person tjetër, i cili ka blerë një pronë në këtë lagje dhe atë ia dhuroi Bashkësisë Islame në Mitrovicë për ndërtimin e xhamisë, raporton KTV.

Kërkesa e tyre është revokimi i menjëhershëm i lejes së ndërtimit të xhamisë në lagjen e tyre, deri në arritjen e një marrëveshjeje mes palëve.

Punimet në këtë hapësirë, sipas banorëve, kanë filluar nga hoxha Gazmend Mehmeti, dhe ato janë ndërprerë tash e një javë, derisa thonë se ky i fundit edhe i ka kërcënuar në mënyrë indirekte.

Në vend të ndërtimit të xhamisë, sipas tyre, më i nevojshëm është ndërtimi i një shkolle.

Kohavisioni ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Gazmend Mehmeti, por ai nuk e ka hapur telefonin gjatë së dielës.

Në Këshillin e Bashkësisë Islame në Mitrovicë, nuk kanë pranuar të prononcohen për KTV-në në lidhje me këtë rast, derisa kryeimami Rexhep Lushta, shkurt përmes telefonit, ka thënë se do të bëhet një zgjidhje për ndërtimin e xhamisë, derisa ka theksuar se banorët e lagjes ‘Sylani’ nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë në këtë lagje.

Rreth 30 shtëpi të kësaj lagjeje, kundërshtojnë mënyrën e ndërtimit të xhamisë, derisa thonë se kanë marrë premtime edhe nga komuna se nuk do të jepej leje për ndërtim, pa ujdinë e palëve.

Komuna e Mitrovicës nuk është përgjigjur në thirrjet e televizionit për ta sqaruar këtë problematikë.

Për të kundërshtuar ndërtimin e xhamisë, banorët kanë bërë edhe një peticion, derisa kanë thënë se janë të gatshëm të ndihmojnë në ndërtimin e një xhamie në një lokacion tjetër, por në bashkëpunim me BIK-un dhe komunën, e jo me persona që nuk përfaqësojnë institucionet.

Shfaq më shumë

Leave a Reply

Your email address will not be published.