EKONOMI

Banorët në Bardhosh s’mund t’i përdorin pajisjet elektrike për shkak të rrymës së dobët

Në kuzhinën e Afrim Salihut, në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës, mungon shporeti elektrik.

Për shkak të rrymës me intensitet të ulët, ai e ka larguar atë nga përdorimi, duke e zëvendësuar me shporet me dru dhe forma tjera me bombola gazi, raporton “038” i KTV-së.

Salihu thotë se është detyruar të marrë këtë vendim, pasi në të kaluarën “rryma e dobët” i ka shkaktuar prishje në aparatet tjera elektrike.

Ai beson se ky problem ka ndikuar edhe në rritjen e faturave, të cilat thotë se i paguan rregullisht.

Me këtë problem përballen edhe banorë tjerë të rrugëve “Isa Boletini”, “Mallakastra” e të tjera.

Përkundër se kanë bërë kërkesë për vendosjen e një trafostacioni të ri, për të zgjidhur këtë problem, ata thonë se ende nuk kanë marrë përgjigje.

Në Komunën e Prishtinës thonë se tashmë i kanë ndarë KEDS-it pronën e kërkuar për vendosjen e trafos.

Këtë e kanë konfirmuar edhe në Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike.

“KEDS-i aty ka tentuar të gjitha format e gjetjes së një lokacioni, duke ofruar edhe blerjen e parcelës, por askush nuk ka pranuar ta shesë. Në këtë situatë, ne kemi insistuar që të gjejmë një zgjidhje me Komunën e Prishtinës. Na është ndarë parcela, por me kohë të caktuar 15-vjeçare, e cila mund të paraqesë probleme në të ardhmen, pasi trafo parashihet të vendoset aty përgjithnjë. Ne jemi në kontakte me komunën dhe shpresojmë të gjejmë zgjidhje sa më të shpejtë, në mënyrë që të procesojmë tutje me investimin”, ka thënë Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it.

Me të njëjtin problem sikur banorët e Bardhoshit përballen edhe shumë lagje e fshatra tjera.

Në KEDS thonë se ata nuk u kërkojnë banorëve të participojnë për vendosjen e trafove dhe se në rast nevoje, e blejnë truallin e nevojshëm.

“Trafo mund të vendoset në secilin lokacion me marrëveshje. Por, në rast se prona është private, bëhet marrëveshja noteriale dhe KEDS-i e paguan parcelën në bazë të marrëveshjes me pronarin përkatës dhe ajo bartet në pronësi të KEDS-it”, ka thënë Buzhala.

Sipas Buzhalës, në rastet kur bëhet fjalë për pronë komunale, KEDS-i e merr atë në shfrytëzim për kohë të pacaktuar, derisa të jetë trafo aty.