Kombëtare

Banorët e fshatrave të Ferizajt në karantinë përballen me mungesë të barnave

Banorët e fshatrave të izoluara të Ferizajt, si masë për ndalimin e përhapjes së koronavirusit, po përballen me mungesë të barnave esenciale, meqë në to nuk ka barnatore e as AMF (Ambulanta të Mjekësisë Familjare).

Në gjendje më të rëndë janë banorët e fshatit Sazli, nga i cili është konfirmuar rasti i parë me koronavirus në këtë komunë. Menjëherë fshati ishte futur karantinë, raporton KOHA.

Po ashtu me mungesë të barnatoreve dhe të barnave esenciale po përballen edhe banorët e fshatrave Mirash, Varosh, Neredime, Lloshkobare etj, të cilat vazhdojnë të qëndrojnë në karantinë shkaku i të infektuarve.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e ka futur e gjithë komunën në karantinë, pasi që janë konfirmuar rreth 60 raste me koronavirus, mirëpo për fshatrat që ka të prekur me këtë virus është marrë një vendim i veçantë për izolim.

Banorët e fshatit Sazli kanë thënë se më së shumti po përballen me mungesë të barnave esenciale dhe gjërave tjera ushqimore, pasi që Policia e Kosovës nuk po lejon hyrje-daljen nga fshati.

Komuna e Ferizajt është duke i shikuar mundësitë për t’i furnizuar banorët e këtyre fshatrave me gjëra të ndryshme elementare, qoftë ushqimore apo edhe barna esenciale.

Alban Shillova, përfaqësues i Sazlisë, ka thënë se fshati është futur në karantinë menjëherë pas rastit të parë të konfirmuar me koronavirus rreth dy javë më parë. Sipas tij, banorët po ankohen sepse Policia e Kosovës nuk po i lejon të furnizohen nga qyteti me produkte ushqimore dhe as me barna.

“Nëse një banor e ka ndonjë leje për qarkullim, atëherë të gjithë të tjerët e ngarkojnë atë për të blerë barna të ndryshme esenciale sepse jemi në karantinë dhe nuk po lejohen hyrje-daljet. Në fshatin tonë nuk kemi asnjë barnatore private, por nuk kemi as ambulantë për të marrë ndonjë shërbim mjekësor”, ka thënë Shillova. Ai ka kërkuar nga institucionet që t’i furnizojnë banorët me barna esenciale dhe gjëra të tjera pasi që banorët nuk po kanë zgjidhje tjetër.

Nadire Ymeri, drejtoreshë e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës vazhdimisht po kontakton me pacientët e infektuar nëpër fshatra të Ferizajt, por nëse ata kanë nevojë për t’i dërguar në klinikë e obligojnë QKMF-në e Ferizajt.

“Të martën në mbrëmje i kemi pasur tri intervenime, dy në fshatin Slivovë dhe një rast në fshatin Mirash. Këta tre pacientë i kemi dërguar në Infektivë për shkak të gjendjes të rëndë shëndetësore. Pra ekipet tona vazhdimisht i kemi në terren dhe në shërbim të qytetarëve, ndërkohë për çdo përkeqësim të gjendjes të të infektuarve Instituti na obligon neve për t’ia dërguar pacientët”, ka thënë Ymeri. Sipas saj, në fshatin Sazli nuk ka barnatore por as AMF, mirëpo për çdo rast urgjent banorët mund të marrin shërbime në QKMF apo në AMF-në në Softaj.

“Po ashtu me orar të rregullt ekipet tona të patronazhit janë duke punuar vazhdimisht në terren, ndërkaq diagnostika punon për raste emergjente, kurse rastet tjera kryhen rregullisht. Po ashtu edhe stomatologjia funksionon vetëm për raste emergjente”, ka thënë Ymeri.

Nga ana tjetër Bekim Ademi, drejtor i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në komunën e Ferizajt, ka thënë se shumica e fshatrave të Ferizajt nuk kanë barnatore, andaj gjatë kësaj periudhe komuna do të kujdeset për raste emergjente.

“Vetëm 3 apo 4 fshatra kanë barnatore private, ndërkaq të tjerat nuk kanë. Mirëpo, kur qytetarët kanë nevojë emergjente duhet të lajmërohen nëpërmjet telefonit. Pacientët e infektuar nëse nuk gaboj terapinë e kanë vetëm me paracetamol. Ndërkaq qytetarët tjerë nëse kanë të sëmurë tash kanë të drejtë të shkojnë në qendrat e mjekësisë familjare ose në QKMF në Ferizaj. Komuna i ka ndarë 200 mijë euro për menaxhimin e situatës, në kuadër të tyre mund të furnizohet edhe shëndetësia me barna esenciale, por edhe ministria e shëndetësisë ka sjell disa barna esenciale, andaj ndërkohë stafet mjekësore po kujdesen për t’i ndihmuar pacientët me barna esenciale”, ka thënë Ademi.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483