EKONOMI

Banka Botërore parasheh rritje modeste ekonomike më 2020

Banka Botërore parashikon rritje modeste ekonomike në vitin 2020.

Në raportin për Prospektet Ekonomike Globale, institucioni i huadhënies thotë se ekonomia globale do të rritet 2.5 për qind këtë vit, vetëm pak më shumë se parashikimi prej 2.4% për vitin 2019.

Sipas Bankës Botërore, viti 2019 ka paraqitur rritjen më të dobët që nga kriza globale financiare, një dekadë më parë.

Me gjithë përmirësimin e lehtë të paraparë për këtë vit, Banka Botërore thotë se 2020-a mbetet e cenueshme ndaj pasigurive rreth tregtisë dhe tensioneve gjeopolitike.

“Kjo rritje modeste në ekonominë globale shënon fundin e ngadalësimit që filloi në vitin 2018”, tha Ayhan Kose, ekonomist në Bankën Botërore.

“Ne presim përmirësime, por, në përgjithësi, shohim edhe perspektiva më të dobëta të rritjes”, shtoi ai.

Banka Botërore ka 189 vende anëtare. Selia e saj ndodhet në Uashington.