Kosova

Balje: Përpjekja e parë e partisë së re është afrimi i Kosovës te njohja e Bosnjës

Kryetarja e partisë më të re në Kosovë, Unioni Social Demokratik, Duda Balje, është rezervuar të jep premtime, por ajo thotë se është e bindur që kjo parti do të sjellë ndryshimin për komunitetin boshnjak në Kosovë.

Balje gjithashtu tha se krijimin e partisë së re nuk e bëri në krye në vete, por ideja erdhi pikërisht nga njerëzit e komunitetit të saj.

“Unë jam një deputete që kam qëndruar shumë në terren dhe ideja për krijimin e një partie të re ka ardhur prej terrenit. Në mandatin e kaluar 70 për qind të kohës kam qenë në mesin e boshnjakëve në Kosovë dhe ideja ka ardhur nga mendimi që ka ardhur nga atje”.

“Ne kemi krijuar këtë parti me disa njerëz që e kanë pasur idenë dhe vizionin e njëjtë dhe kemi vendosur që t’u ofrojmë boshnjakëve e një politikë pak më ndryshe”.

“Dje ka qenë një ditë shumë pozitive për mua dhe kam marrë shumë mesazhe dhe përkrahje edhe nga ana e shqiptarëve edhe nga ana e boshnjakëve. Ndjehem më e fortë që nga dje, kam përvojë në politikë dhe mendoj se jam gati që të ndaj edhe punën pozitive edhe atë negative”.

“Ne bashkë do të ofrojmë politika për njerëz të mesëm që e janë duke e bërë punën e vet sepse ne boshnjakët jemi më shumë të kësaj shtrese të mesme dhe do të punoj shumë në këtë drejtim. Do të punoj më shumë për personat me aftësi të kufizuara, me rininë boshnjake, avancimin e gruas në politikë. Nuk po dua të premtoj shumë, por dua të punoj shumë me njerëzit që më përkrahin dhe jam e sigurt që suksesi është afër nesh”.

Balje në Sytë 7 tha se komuniteti i saj e do shtetin e Kosovës, ndoshta edhe më shumë se komunitetet tjera.

“Si boshnjakë në Kosovë kemi qenë edhe paraluftës, gjatë luftës dhe pas saj dhe jemi prezent edhe në nivelin lokal edhe në atë qendror. Kemi tre deputetë boshnjakë në Kuvend dhe asnjëherë nuk kemi bërë asgjë ndaj shtetit. Si komunitet boshnjak mendoj që ne jemi më shumë kosovarë se shumë shqiptarë dhe komunitete tjera”.

“Ne e kemi Bosnjën, por ajo s’e ka pranuar Kosovën kështu që nuk e kemi shpinën e fortë. Prandaj, ne po provojmë të bëjmë pozitën e boshnjakëve shumë më të fortë këtu në Kosovë sepse ne e kemi Kosovën dhe kemi vendosur të jetojmë këtu dhe do të japim energjinë tonë që ta bëjmë Kosovën sa më të mirë dhe stabile për të gjithë kosovarët”.

Deputetja tha se prioritet të partisë do ta kenë krijimin e kontaktit me Bosnjën dhe se do të përpiqen që ta afrojnë Kosovën më afër njohjes së shtetit fqinj.

“Kjo është një prej prioriteteve në programin për gjashtë mujorin tonë si parti. Udhëtimi i parë zyrtar do të jetë për në Sarajevë. Nuk është aktiviteti i parë i partisë atje, por do të jetë takim zyrtar sepse mendojmë që për ne si boshnjakë dhe kosovarë është i rëndësishëm të vendosim kontakt me Bosnjën”.

“Pamundësia për të udhëtuar në Bosnje pa viza na dëmton neve boshnjakëve sepse serbët kanë pasaportë të Serbisë. Në Sarajevë kam vizituar një shoqatë të shqiptarëve dhe boshnjakëve që është e madhe dhe sa kam dëgjuar prej atyre ata kanë problem udhëtimin për në Kosovë”.

“Unë do të provoj të bëj lutje që së paku të kemi një zyre për kontakt atje si hap i parë. Nuk ka asnjë boshnjak në Bosnje që nuk e ka pranuar Kosovën si shtet i pavarur, por ata janë në një geto dhe kanë telashe shumë”.

“Zyra e parë e partisë është në Prizren sepse unë jetoj atje dhe për mua është logjike kjo hapje. Punoj çdo ditë në Prishtinë dhe kam kontakt këtu me boshnjakët. Por, patjetër synim është hapja e zyrës në Pejë, Istog dhe Dragash”.

Balje duke treguar për arsyen pse e la partinë e mëparshme, tha se kjo parti është themeluar për boshnjakë, por aty janë të mirëseardhur shqiptarët që u përshtatet programi i partisë.

“Unë kam shumë miq edhe sot në Vakat dhe po ashtu kam një falënderim të madh për këtë parti sepse politikën e kam mësuar aty. Por, gjatë rrugës ne nuk kemi menduar njëjtë dhe vendosa që të dal dhe të provoj vetë”.

A ka marrë ofertë për bashkëqeverisje nga Albin Kurti?

“Me Kurtin kam pasë një takim zyrtar dhe privat në Prizren. Në këtë qytet jemi takuar me 10 deputetë njëherë bashkë, por Kurti ka vendosur të bëjë një politikë pak më ndryshe me neve. Ai ka provuar të bisedoj veç e veç me neve. Tash ne kemi një grup multietnik dhe tre deputetë jemi jashtë. Nuk kemi pasë përkrahje nga kryeministri i ardhshëm që ne të shkojmë ashtu bashkë dhe mendoj se s’ka punuar mirë me neve dhe ka gabuar me neve”.

“Nëse bëhen 14 ministri shpresoj që njëra nuk do t’i jepet komunitetit serb, por neve 10 deputetëve”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.