Kosova

Balaj-Halimaj: VV po do t’i japë kompetenca presidentit që sa herë t’i teket ta shpërndajë Kuvendin

Deputetja e Nismës Socialdemokrate Albulena Balaj-Halimaj ka thënë se  duan ta krijojnë Qeverinë Hoti, pjesë e së cilës është edhe partia e saj, për t’i ndalë keqpërdorimet e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Po presim të hymë në qeveri, sepse vendit i nevojitet një qeveri e re. E keni parë për pak ditë çka ka qenë në gjendje të bëjë Vetëvendosje me gjithë ato skandale dhe normalisht për të mos ua vazhduar jetën keqpërdorimeve që po bëjnë ne po detyrohemi që në këtë mjegullë, nëse edhe Gjykata Kushtetuese thotë kështu, të formojmë një qeveri të re”.

Ajo në Rubikon me Adriatik Kelmendin ka thënë se partia e parë e ka shtjerrë mundësinë e saj për të formuar qeverinë, prandaj nuk mund të bëhet krahasimi me vitin 2014 dhe VLAN-in.

“Ajo që unë dua të cek është që Vetëvendosja po thirret në dy mundësi të kaluara ose në një aktvendim të 2014-ës që pretendohej të mos i jepej mandati partisë fituese, pra është krejt ndryshe nga tash. Tash i është dhënë mundësia partisë së parë e cila e ka formuar qeverinë dhe është rrëzuar me 2/3-at e deputetëve. Pra, partia e parë e ka shtjerrë mundësinë”.

“Kosova është shtet parlamentar dhe është Kuvendi që vendos për një qeveri. Nëse kjo qeveri bëhet sot dhe pasnesër nëse deputetët e shohin të arsyeshme edhe mund ta ndryshojnë”.

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po dëshiron që t’i japë kompetenca presidentit që ai në të ardhmen ta shpërndajë Kuvendin kur të dojë.

“Imagjinojeni çfarë kompetenca po duan Vetëvendosja t’i japin presidentit që sa herë t’i teket në të ardhmen një presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin. Në Kushtetutë thuhet që presidenti mund ta shpërndajë Kuvendin, por jo që duhet, sepse janë deputetët që vendosin nëse shpërndahet Kuvendi ose jo. Në rastin e Ramush Haradinajt kur ka dhënë dorëheqje nuk ka qenë vullneti i deputetëve që të krijohet një qeveri e re, sepse edhe në atë rast ka mundur”.

“Deputetët nuk duan ta shpërbëjnë Kuvendin dhe ndërrohet qeveria sa herë që deputetët e shohin të arsyeshme. Këto raste të krahasohen mes vete është gabim dhe ky është një mashtrim që i bëhet qytetarëve”.