Kosova

Bajrami: Qytetarët nën hijen e interesave partiake e individuale për pushtet

Kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, në një postim në rrjetin social “Facebook”, ngërçin politik e ka cilësuar një “déjà vu”.

“Propozimi i ofertave për koalicion publikisht, përmes komunikatave partiake, rrjeteve sociale e medieve, në vend se të diskutohet dhe negociohet prapa dyerve të mbyllura, nuk bëhet për tu arritur marrëveshja, por për tu shmangur përgjegjësia për dështimin”, ka shkruar Bajrami. Sipas tij, me këto “oferta” publike, LVV-ja dhe LDK-ja, qartë po distancohen njëra prej tjetrës, duke e bërë një marrëveshje për qeverisje më pak të mundshme sot se që ishte dje.

“Ajo që mbetet ende e pasqaruar është arsyeja pse ndodhë kështu! Është frika nga marrja e përgjegjësisë te njëra palë, apo frika prej partnerit qeverisës të cilit nuk i beson, te pala tjetër?
Apo të dyja bashkë? Megjithatë, një gjë është e sigurt: motivi assesi nuk mund të jetë e mira dhe interesi i përgjithshëm. Fatkeqësisht, edhe këtë radhë shteti dhe qytetarët mbeten nën hijen e interesave partiake dhe individuale për pushtet. Déjà vu!”, ka shkruar kryeredaktori i gazetës “Koha Ditore”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.