SHËNDETËSIA

Bajraktari: Po bëjnë shpifje ndaj meje për të më bërë të pabesueshëm në publik, por kot e kanë

Kardiologu Gani Bajraktari, dje është larguar përkohësisht nga puna që siç njoftoi SHSKUK përmes një komunikate, u bë për shkak se ka kryer veprën penale “mos ofrim i ndihmës mjekësore”.

Por këtë që thotë SHSKUK-ja, Bajraktari e mohon, e quan edhe gënjeshtër.

Të kujtojmë se SHSKUK thotë se ai u largua nga puna për mos ofrim të ndihmës mjekësore, që sipas legjislacionit në fuqi klasifikohet si vepër penale. Ai (Bajraktari), sipas ankesës së paraqitur ishte arsyetuar se rasti ishte i rëndë dhe duhej të trajtohej në spitale private, edhe pse ky shërbim ofrohet 24 orë në QKUK. Gjithashtu, SHSKUK thotë se në vazhdimësi janë pranuar ankesa nga pacientët dhe familjarët e tyre, se i njëjti ka referuar pacientë të tjerë në institucione shëndetësore private, pra në spitalin privat ku ai punon.
Por Bajraktari, në reagimin e tij thotë se nga vendimet e të dy shkallëve të Inspektoratit të Punës vitin e kaluar “nxorën lakuriq gënjeshtrat, montazhat, shantazhet dhe shpifjet e këtij menaxhmenti ndaj meje, me motivacione të ulëta hakmarrëse, duke më shpallur tërësisht të pafajshëm dhe duke konstatuar se unë nuk kam bërë as më të voglën shkelje dhe se pretendimi i tyre se unë kam referuar një pacientë jashtë QKUK (i cili ishte trajtuar në QKUK!!) ishte i pavërtetë (gënjeshtër, rrenë)”.

“Në vend se ky menaxhment të ndëshkohet nga ata që e kanë emëruar, për denigrimin, ndjekjen dhe persekutimin e profesionistëve të pafajshëm, ata lejohen që përsëri, me motivacione të njëjta, tepër të ulëta e hakmarrëse, përsëri me regji të njëjtë, të shpikin e shpifin të pavërteta, duke denigruar, përbaltur e persekutuar të njëjtit, me të njëjtat metoda. E vërteta sërish do të ngadhënjejë dhe gënjeshtra e tyre sërish do të dal lakuriq: këtë e dijnë edhe ata që vet i kanë fabrikuar! Këta e dijnë mirë se unë nuk kam referuar asnjë pacient jashtë QKUK, por këta dëshirojnë të më mbyllin gojën dhe të më bëjnë person të pabesueshëm në publik, për të vërtetat e tyre të hidhura!. Por, kot e kanë!”, thotë Bajraktari.

“Nuk mund të më frikësojnë që të ndryshojë statistikat e rritjes 50% në infarktin akut të miokardit, pas ndarjes misterioze të Klinikës (rast sui generis në botë), e iniciuar dhe menaxhuar nga vet ky menaxhmet, duke shënuar kështu skandalin më të madh në shëndetësinë e pasluftës sa i përket numrit të vdekjeve të evitueshme! Nuk mund të më frikësojnë mua dhe kolegët e mi, që të tërheqim kallëzimet tona në Odën e Mjekëve të Kosovës për trajtimet e pandërgjegjshme! As, nuk mund të më bëjnë person të pabesueshëm për statistikat e vdekshmërisë sepse ato janë bërë me përpikmëri të lartë nga vet unë, dhe tashmë janë në shumë databaza! Nuk mund të më frikësojnë me fabrikime të thashethemeve, të cilat tashmë janë bërë të gërditshme për komunitetin, sepse janë kaq të pakripë, saqë askush më nuk ju beson!”, thotë në fund Bajraktari në reagim.