Kosova

Bajqinovci: Kur u bë marrëveshja serbët dolën kundër, Beogradi nuk ia do Kosovës një Qeveri antikorrupsion

Përfaqësuesit e Listës Serbe, pas marrëveshjes LVV-LDK, kanë shkuar në Serbi. Kjo sipas tyre, për t’u konsultuar me Beogradin lidhur me qeverinë e re.

Ata kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin seancën e Kuvendit, dhe nuk do ta votojnë qeverinë Kurti.

Për këtë ka reaguar deputeti i LVV-së, Mefail Bajqinovci.

Përmes një shkrimi në Facebook, ai ka thënë se Lista Serbe kishte qëndrim krejtësisht tjetër para disa ditësh dhe pikërisht kur u arrit koalicioni qeverisës, ata dolën kundër votimit të Qeverisë.

“Para dy ditësh, kur mendohej se nuk do të arrihej koalicioni, Lista Serbe deklaroi se “nuk do të bëhemi pengesë për votimin e Qeverisë”, ishte e qartë që përmes LS, treshja ballkanike, tentonte ta komprimitonte Lëvizjen Vetëvendosje, duke e improvizuar një situatë në Kuvend ku votën pro Qeverisë Kurti, do ta jepnin vetëm 2 grupe parlamentare LVV dhe LS. Dje dhe sot, kur u bë e qartë se koalicioni ka shumicë shqiptare, Vuçiqi me këshilltarët e tij ballkanik, vendosi të kalojë në anën tjetër: të votojë kundër Qeverisë sepse tashmë e dinë se u ka dështuar plani”, thotë Bajqinovci.

“Lëvizja ka përballuar shumë inskenime të tilla nga kasta e krimit politik në Kosovë e Ballkan por u ka mbijetuar e është forcuar. Kot e keni. Ky është edhe një rast i ngjashëm sikurse tek futja e NISMËS në Kuvend kur krimi pa atdhe përdori Listën Serbe, duke mos e lënë të ankohej për votat që gjithmonë i janë numëruar”, theksoi ai.

Më tej ka thënë se Serbia e do një Kosovë të korruptuar, dhe kështu është kundër atyre që do ta çojnë Kosovën përpara.

“Serbia nuk ja do Kosovës një Qeveri anti-korrupsion. Ajo e do kastën e korruptuar në krye të Kosovës, sepse kështu, atë që do të donte ta bënte me tanke, ja kryen për mrekulli establishmenti i derisotshëm në krye të vendit. Pra, janë partnerë. I bashkon puna e përbashkët kundër Kosovës. Për këtë arsye, Lista nuk e voton Qeverinë që i ka numrat. Do të mund ta votonte, vetëm nëse nuk i ka numrat, për ta dëmtuar politikisht dhe në imazh. Mirëpo… dështuat”, ka shkruar Bajqonovci.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483