Kosova

Bajqinovci: Hoti nuk ka fuqi, është vetëm asistent ekzekutiv i Thaçit

Duke e cilësuar qeveri ilegale, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës është “Qeveria Thaçi” e jo ajo Hoti. Sipas tij, Avdullah Hoti që u bë dje kryeministër, është vetëm asistent ekzekutiv i presidentit Thaçi.

Sipas Bajqinovcit, presidenti Thaçi ka bërë shumë shkelje kohëve të fundit. Ai ka akuzuar Thaçin për ndikim te deputeti Haxhi Shala për t’ia siguruar votat Hotit e se ka bërë agresion me vendimin që të shpallet kushtetues dekreti i tij për mandatim të Hotit.

“Duke pas parasysh që këtu u bë agresion nga vetë Hashim Thaçi dhe Gjykata Kushtetuese duke marrë vendime që fituesin ta lënë në opozitë, pra duke u thirrur në opinione të Moldavisë e shteteve të ndryshme që i pamë. Pamë edhe pse ishte e pritshme sepse doli presidenti Thaçi dy ditë më herët e tha se do ta rrëzojë Kurtin. Dy ditë më herët ai tregoi se vendimin e di dhe u mor ky vendim që ishte agresion kushtetues e që do të lërë pasoja të mëdha. S’do të jetë më interesant kush do të jetë i pari sepse i dyti e i treti do ta bëjë qeverinë. Më e keqja është që u publikua edhe falsifikimi që paragrafi katër i nenit 95 u largua nga faqja zyrtare. Kam tri argumente që Thaçi ka shkelur Kushtetutën. Njëra që e ka në dorë Kushtetuesen. E dyta është shkuarja në shtëpi të deputetit Haxhi Shala në orën një të natës. Një president që thotë jam unifikues shkon në orën 1 të natës dhe ndërhyn në ekzekutiv duke kërkuar vota për qeverinë Thaçi. Është qeveria Thaçi me asistentin ekzekutiv Hoti. Ia bëri Shala numrin 61. Në Kushtetuese, vendimin e mori Thaçi, numrat ia bëri Thaçi, pra kjo është Qeveri Thaçi. Jo Thaçi 3, por vetëm Thaçi. Kemi administrator, asistent të tij që s’e bëri kush hesap sot kur hyri në Kuvend. Pjesa e tretë, kemi qeveri ilegale të Thaçit që ka 140 mijë vota. Sot ka dalë edhe në portale që ka 140 mijë vota. Komplet kabineti i ka 140 mijë vota. Vetëm Albin Kurti ka 184 mijë vota. Me Vjosa Osmanin kanë më shumë se 300 mijë. S’kanë kredibilitet”, ka thënë ai në Interaktiv.