Kombëtare

Bahtiri viziton nxënësit e shkollës teknike pas dyshimit për helmimin e tyre

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, së bashku me drejtorin e Arsimit, Egzon Jashari, pasi kanë marrë lajmin për dyshimin mbi helmimin e disa nxënësve në Shkollën Teknike “Arkitekt Sinani”, menjëherë kanë vizituar ata në Spitalin Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri”.

Nga personeli mjekësor, Bahtiri u njoftua rreth gjendjes shëndetësore të tyre, me ç’rast u konstatua se simptomat e tyre nuk tregonin për diçka shumë shqetësuese, ku pas trajtimit mjekësor nxënësit janë liruar.

Me këtë rast, Bahtiri u ka dëshiruar nxënësve shërim sa më të shpejtë, duke thënë se “çdo gjë e rëndësishme ka të bëjë pikërisht me shëndetin e fëmijëve tanë”. Po ashtu ai falënderoi edhe stafin mjekësor për kujdesin ndaj tyre.

Në vazhdim, kryetari i Komunës së Mitrovicës, së bashku me drejtorin Jashari dhe në prani të zyrtarëve të Policisë së Kosovës, kanë realizuar një vizitë në objektin e shkollës për të parë nga afër gjendjen faktike, dhe mënyrën se si ka rrjedhur dyshimi mbi helmimin e këtyre nxënësve.