Kombëtare

Bahtiri: Në veri sot ka vdekur një person i infektuar me koronavirus

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka mbajtur një konferencë të përbashkët me kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Përmes kësaj konference Bahtiri ka njoftuar për situatën me koronavirus në Mitrovicë derisa ka theksuar se në veri të kësaj komune, dy persona janë të infektuar ndërkaq një ka vdekur sot si pasojë e koronavirusit.

Ai tutje ka bërë thirrje që qytetarët t’i përmbahen rekomandimeve të institucioneve, për parandalimin e kësaj epidemie.

“Kisha pas një lutje për të gjithë qytetarët e Mitrovicës pavarësisht nacionalitetit, edhe pjesës së veriut edhe jugut që t’iu përmbahen rekomandimeve të institucioneve. Ne jemi duke luftuar maksimalisht një virus që ka ardhur nga jashtë. Ky virus nuk njeh nacionalitet dhe po përballet me të gjithë bota. Apeloj te të gjithë qytetaret të kenë kujdes dhe të dëgjojnë të gjitha rekomandimet e institucioneve. Ju kisha lut të gjithëve të respektoni orarin, por edhe orarin e lëvizjes së lirë të lëvizni nga dy sa më larg njëri tjetrit. Në veriun e Mitrovicës janë dy të infektuar dhe një ka vdekur, dhe shpresoj që kjo do të jetë e fundit”, ka thënë ai.

Ndërkaq Rakiq ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të qëndrojnë në shtëpitë e tyre.

“Ky virus që po qarkullon botën, fatkeqësisht nuk la pa prekur edhe komunën tonë. Kjo e keqe s’njeh asnjë kufi, prandaj ftoj të gjithë qytetarët të marrim përgjegjësinë dhe të ruajmë veten, dhe kështu edhe të tjerët përreth vetes. Faktet flasin se ky virus prek më së shumti të moshuarit, por as të rinjtë nuk janë të mbrojtur. Madje, ata janë bartësit më të mëdhenj të virusit. I lus të gjithë që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe kështu mbrojmë jetët”, ka thënë ai.