SHËNDETËSIA

Promovohet pulla postare për personelin shëndetësor që humbën jetën nga COVID-19

Sot është promovuar pulla postare e cila iu kushtohet punëtorëve shëndetësorë të cilët kanë humbur jetën pas infektimit me COVID-19.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se i janë drejtuar Postës së Kosovës me kërkesën për një pullë postare në nder të heronjve mantelbardhë.

Ai tha se ecja e pullës postare do të tregojë mundin, sakrificën dhe përkushtimin e mantelbardhëve për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Ata të cilët akoma po vazhdojnë të qëndrojnë në ballë të luftës me pandeminë COVID-19 në trajtimin e pacientëve me COVID-19, por mbi të gjitha në ruajtjen dhe mbajtjen në jetë të tyre në kushtet dhe rrethanat që e ka menaxhuar dhe po vazhdon ta menaxhojë pandeminë Kosova. Vlerat tona të përbashkëta duhet t’i promovojmë jo vetëm në aspektin e brendshëm, por edhe atë ndërkombëtar. Ne kemi marrë një iniciativë ku i kemi dërguar një kërkesë Postës së Kosovës si institucioni kredibil i shpërndarjes së pullave postare që të kemi një pullë postare që i dedikohet heronjve mantebardhë”.

“Besoj dhe shpresoj që kjo ecje e pullës postare do të tregojë mundin, sakrificën dhe përkushtimin e mantelbardhëve të cilët kanë bërë dhe po bëjnë të pamundurën për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Duke vlerësuar këtë situatë pak më të qetë pandemike, thirrja jonë e vazhdueshme është që, të mos i stërngarkojmë kapacitetet tona spitalore, të vazhdojmë me kujdesin ndaj shëndetit dhe respektimin e masave dhe ecjen tutje deri në eliminimin e kësaj pandemie”.

Zemaj tha se mjekët dhe infermierët që e kanë pranuar plaketën e kësaj pulle postare janë përzgjedhur në emër të të gjithë profesionistëve shëndetësorë dhe nuk dallojnë nga të tjerët.

“Përmes tyre dhe respektit që kemi ndaj personalitetit, punës dhe profesionalizmit të tyre i nderojmë të gjithë mjekët, infermierët, teknikët, laborantët, policët, inspektorët, FSK-në, zjarrfikësit, shtabet emergjente dhe të gjithë që janë në ballë të kësaj lufte”.