Kosova

Avokatja e njërës nga të riatdhesuarat prej Sirisë: Gratë ishin viktima të burrave të tyre

Besmira Hoti, avokate e njërës nga gratë e riatdhesuara prej Sirisë, ka thënë se këto gra të cilat janë kthyer në Kosovë, kishin shkuar drejt Sirisë me detyrim nga burrat e tyre.

Në Express Intervistën në KTV, Hoti ka treguar se klientja e saj ka thënë se nuk ishte në dijeni se atje po zhvillohej luftë dhe se ishte nisur pas bashkëshortit, për të cilin po ashtu kishte thënë se s’dinte pse po shkonte në Siri.

“Shumica e këtyre grave akuzohen për Pjesëmarrje dhe organizimi në grupe terroriste, e ka disa që janë akuzuar veçmas. Klientja ime është akuzuar në grup me nënën dhe motrën. Klientja ime fillimisht kishte shkuar me bashkëshortin që kishte ndërruar jetë pas një viti, e më pas kishte shkuar motra me bashkëshortin e fëmijët dhe më pas nëna me vëllezërit. Gjithashtu njëri vëlla tashmë është i ndjerë. Nuk ishin në dijeni se po zhvillohej luftë dhe kishte shkuar pas bashkëshortit pasi s’dinte as ai pse po shkonte. Ishte e mashtruar dhe e detyruar nga burri që të shkonte. Ato nuk akuzoheshin se kishin marrë pjesë në luftë apo diçka të tillë, por vetëm për pjesëmarrje, kanë shërbyer logjistikë. Ato bënin punë amvisërie. Klientja ime ka shërbyer ndaj bashkëshortit të saj dhe familjes së saj. Kjo akuzohet vetëm se ishte pjesëmarrje në atë vend jo në luftëra, e bashkëshorti i saj sigurisht se do të akuzohej për pjesëmarrje në luftëra”, ka shpjeguar ajo.

Hoti ka thënë se kushdo që ka shkuar në luftëra në vendet të tjera pas vitit 2015 ka akuzë më të rëndë në bazë të ligjit. Ka thënë se klientja e saj kishte shkuar në Siri më 2014. Ajo ka bërë të ditur se klientja kishte pranuar aktakuzën vetëm pasi kishte kuptuar se po akuzohej vetëm për shërbime logjistike.

“Për këto raste parashihet dënimi prej 5 deri 10 vjet burgim, por si rrethana lehtësuese ato janë gjykuar me dy vjet burgim me kusht që për tre vjet të mos bien ndesh me ligjin dhe kanë këshillim te psikologu për dy vjet. Ato janë penduar dhe edhe kjo është marrë si rrethanë lehtësuese. Ky dënim plotësues (këshillimi te psikologu) është për të gjitha sepse kanë marrë pjesë në një vend ku zhvillohej lufta edhe pse kishin shkuar me detyrim e jo me vullnet të lirë. Nuk do të thotë se të gjitha e kanë ditur apo jo, por ajo kishte shkuar me detyrim sepse thjesht nuk e dinte se atje po zhvillohej luftë. Ato kanë vazhduar për në Turqi, duke menduar se aty do të ndalen por kanë kaluar kufirin ilegalisht dhe janë viktimë. Në bazë të këtyre gjërave gjykata i ka vlerësuar mirë”, ka thënë tutje Hoti. Ajo po ashtu ka thënë se shteti ka paralajmëruar një social dhe kjo mund t’u ndihmojë në aspektin e këshillimit psikologjik.

Hoti ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të kontribuojnë më shumë për risocializimin e këtyre grave me fëmijët e tyre.