Kosova

Avokati i Popullit gjen shumë shkelje në trajtimin e rastit të rrahjes së gruas rome

Duke filluar nga disa media për të vazhduar te të gjitha institucionet përkatëse, janë konstatuar shumë shkelje të të drejtave të njeriut në trajtimin e rastit të gruas së komunitetit rom, Z.S.

Ky konstatim ka ardhur nga gjetjet që ka bërë Avokati i Popullit dhe raporti i tij i është dërguar Prokurorisë së Shtetit, Komisionit të Pavarur për Media, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe Komunës së Podujevës.

Në këtë raport, thuhet se këto institucione kanë dështuar në mbrojtje të jetës së viktimës Z. S., përkatësisht parandalimin e sulmit kundër saj në Lipjan dhe në Ferizaj, raporton KTV.

Së këndejmi, Avokati i Popullit konsideron se autoritetet kompetente të shtetit nuk kanë ofruar mbrojtje të mjaftueshme për viktimën Z. S., e cila ka qenë e ekspozuar ndaj rrezikut dhe si për pasojë, ajo u sulmua dy herë radhazi.

Prokuroria e Shtetit, me mos-hapjen e rastit për hetime me iniciativën e vet kundër personave që për herë të parë publikuan në rrjete sociale fotografinë e viktimës Z. S., si dhe publikimin e mesazheve të ndryshme nga disa media, paraqet mospërmbushje të detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.

Avokati i Popullit vlerëson se KPM-ja, me një shqiptim të vërejtjeve kundër disa kanaleve televizive për këtë rast, vështirë se mund të ndikojë në ngritjen e kujdesit të duhur të kanaleve të caktuara televizive për mbrojtjen e identitetit dhe të integritetit të personave viktimë në të ardhmen dhe arritjes së synimeve të tjera të përcaktuara në Ligjin në fuqi për KPM-në

Sipas këtij raporti, Stacioni Policor në Lipjan, i cili kishte informata nga qytetarët për prezencën në këtë qytet të personit Z. S. para se të bëhej cak i sulmit, nuk i ka përmbushur autorizimet e veta kushtetuese dhe ligjore dhe ka dështuar në përmbushjen e detyrës parësore që është mbrojtja e jetës si dhe ofrimi i sigurisë për të gjithë personat.

Gjithashtu, aty ceket se stacioni policor në Ferizaj me vonesë e ka ftuar përfaqësuesin nga Zyra për Mbrojtjen e Viktimave.

Ky institucion nuk ka arritur që personit Z.S. t’i ofrojë përkthyes në gjuhën të cilën ajo ka komunikuar.

Avokati i Popullit konstaton se Qendra për Punë Sociale në Lipjan, Ferizaj dhe në Podujevë nuk janë koordinuar në nivelin e nevojshëm dhe nuk kanë ofruar shërbimet sociale të nevojshme për ofrimin e sigurisë për personin Z. S., përfshirë propozimin për urdhër kujdestarie në gjykatat kompetente.

Mosofrimi i shërbimeve sociale nga këto qendra si dhe transferimi i viktimës nga një qytet në një qytet tjetër është riviktimizim ndaj saj.

Përderisa nga KMDLNj-ja thonë se edhe më herët, kanë reaguar për të gjitha këto shkelje, por të paktën të shërbejnë që të mos përsëritet.

Përndryshe, Komuna e Podujevës kohë më parë, pati dështuar t’i sigurojë një banesë, pasi askush nuk kishte pranuar që t’i ofrojë me qira banesë apo shtëpi asaj.

Andaj, Avokati i Popullit i ka rekomanduar kësaj Komune që t’i sigurojë banim të përhershëm Z.S.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore dhe se rastin e kanë proceduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

https://youtu.be/9HThK7KnNko
//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483