SHËNDETËSIA

Autoritetet në Kosovë synojnë rritje të kapaciteteve për t’u përballur me koronavirusin

Në Kosovë nuk është shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirusin e ri. Autoritetet përgjegjëse thonë se tashmë kanë marrë të gjitha masat e duhura, në rast të shfaqjes së këtij virusi në vend.

Megjithëkëtë, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Shëndetësi, të mbajtur të premten, anëtari i komisionit, deputeti Haxhi Avdyli, ngriti shqetësimin pasi, siç tha, në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si qendër terciare e vetmja në Kosovë, janë vetëm gjashtë (6) shtretër me respirator, që shërbejnë për të prekurit me koronavirusi i ri.

Ndryshe, shenjat kryesore të infektimit me koronavirusin e ri janë temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.

Avdyli tha se mungesa e respiratorëve mund të paraqesë problem për trajtimin e pacientëve në rast të shfaqjes së virusit dhe përhapjes së tij.

“Është bërë mobilizim nga institucionet gjegjëse, por kapacitetet tona janë të mangëta. Ka mungesë të shtretërve për trajtim të asistuar me respirator. Janë 6 shtretër në dispozicion për personat me pengesa në frymëmarrje”, tha Avdyli.

Ndërkohë në Klinikën Infektive, Valbon Krasniqi, infektolog i tha Radios Evropa e Lirë se gjatë tërë vitit i kanë në shfrytëzim4 shtretër me respirator, në kujdesin intensiv, derisa plus dy shtretër me respirator janë për pacientët në nevojë brenda klinikës.

Këto janë kapacitetet e kësaj klinike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkaq ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija, në raportimin që bëri ditën e premte në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, theksoi se të gjitha institucionet relevante shëndetësore janë mobilizuar me kapacitetet profesionale dhe teknike.

Ai theksoi se janë përgatitur edhe reparte të veçanta në Klinikën Infektive në rast se paraqitet ndonjë rast, kurse karantina sipas tij ende nuk është e nevojshme. Në rastin e kundërt, tha ai, si mundësi është Parku Inovativ në Prizren.

Ministri Vitia, gjithashtu shtoi se në të gjitha pikat kufitare dhe aeroport tashmë gjenden ekipet shëndetësore.

Ndërkaq Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike tha se deri më tani kanë qenë 23 raste të cilat janë trajtuar nën dyshimin për Coronavirus, por që kanë rezultuar të jenë negativ.

Ai tha se ky institut ka reagensë në rast të shpërthimit me koronavirus.

‘’Jemi të kompletuar. Rreziku më i madh i ngarkesës së laboratorëve është gripi sezonal. Kemi rekomanduar të kemi kujdes në diagnostikim“, tha ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka ndarë 400 mijë euro për t’u përgatitur për koronavirusin. Ministri i Financave Besnik Bislimi, ka thënë se kjo është kërkesë e Ministrisë së Shëndetësisë. Këto mjete janë ndarë për furnizim të punonjësve shëndetësor me masa mbrojtëse.

Sidoqoftë në shumë vende të botës, vazhdojnë raportimet për raste të reja të të infektuarve me koronavirusin e ri, ndërsa bota po përgatitet për një pandemi të sëmundjes.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se të gjitha kombet duhet të përgatiten.

“Ky virus ka potencial pandemik”, tha Tedros.

Nga koronavirusi i ri, që u paraqit për herë të parë në Kinë, janë infektuar më shumë se 83.000 njerëz në mbarë botën.

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483