Bota

Australia lehtëson masat, regjistron vetëm tri raste me Covid-19 në orët e fundit

Shteti më i populluar i Australisë ka thënë të shtunën se ka regjistruar vetëm tri raste të reja me koronavirus një ditë më parë dhe ka kërkuar nga të rinjtë që të testohen ndërkohë që po përgatitet për të hequr edhe më shumë kufizimet në bare dhe restorante.

New South Wales, që përfshinë qytetin e Sydneyt, është shtëpi e gati gjysmës së 7100 të prekurve me koronavirus në Australi. Ky shtet planifikon të lejojë baret dhe restorantet të presin deri në 50 klientë që qëndrojnë ulur, prej 1 qershorit, nga dhjetë sa lejohen aktualisht.

Kjo ka bërë që zyrtarët shëndetësorë të kërkojnë që të mbahet distanca sociale dhe të rritet numri i të testuarve për të parandaluar valë të dytë të infeksionit.

“Pasi po shkojmë para duke provuar të heqim kufizimet që ishin në dy muajt e fundit, është absolutisht vendimtare që njerëzit të vijnë për testim nëse kanë ndonjë shenjë të vogël lidhur me telashe në frymëmarrje”, ka thënë ministri i shëndetësisë së këtij regjionit, Brad Hazzard.

“Pasi po heqim kufizimet, sidomos përreth klubeve dhe hoteleve, ne duhet të dërgojmë mesazh të fuqishëm që këta njerëz të rinj që mendojnë se janë të pathyeshëm, në të vërtetë nuk janë të pathyeshëm”, ka shtuar ai.

Në New South Wales janë regjistruar 3086 raste me koronavirus dhe gati gjysma e 102 të vdekurve janë nga ky regjion. Shifra prej 102 rasteve me fatalitet është arritur të shtunën.

Numri i vogël i të infektuarve dhe të vdekurve në Australi, në krahasim me vendet tjera, i është atribuuar kryesisht mbylljes së kufijve kombëtarë dhe shtetërorë dhe një urdhëri mbarëkombëtar për të qëndruar në shtëpi.