Atletja bjelloruse konsiderohet e sigurt në Tokio, vendet e BE-së i ofrojnë viza

Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, e cila ka refuzuar të niset me aeroplan drejt Bjellorusisë, pasi siç ka thënë ajo, është nisur me forcë nga ekipi i saj në aeroport, tani është e sigurt në Tokio, ka thënë Komiteti Olimpik Ndërkombëtar më 2 gusht.

Mbështetësit e saj kanë thënë se ajo synon të sigurojë azil jashtë shtetit.

Në orët e hershme të 2 gushtit, Tsimanouskaya, 24-vjeçare, ka qenë ende në Aeroportin Haneda të Tokios, ku ka kërkuar mbrojtje nga policia japoneze në ditën paraprake.

Ende nuk është bërë e qartë se ku mund të përfundojë ajo pasi Polonia dhe Republika Çeke i kanë ofruar ndihmë publikisht.

Fondacioni për Sportin Bjellorus – organizatë që mbështet atletët opozitarë, ka thënë se Tsimanouskaya planifikon të kërkojë azil në Gjermani apo Austri.

“Ajo na ka siguruar se është e sigurt. Ne jemi duke biseduar me të sërish këtë mëngjes, për të kuptuar se cilët do të jenë hapat e radhës”, ka thënë zëdhënësi i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Mark Adams.

“Ne duhet ta dëgjojmë atë, të kuptojmë çfarë dëshiron ajo dhe të mbështesim vendimin e saj”.

Adams ka thënë se ajo ka kaluar natën në hotelin e aeroportit, teksa është mbrojtur nga autoritetet.

Më herët, Tsimanouskaya, ka thënë përmes një video-mesazhi se nuk dëshiron të kthehet në Bjellorusi dhe i ka kërkuar Komitetit Olimpik Ndërkombëtar “të intervenojë”.

“Më është bërë presion dhe ata janë duke tentuar të më largojnë me forcë nga shteti”, është cituar të ketë thënë ajo.

Go to TOP