SPORT

Atletja bjelloruse e “lumtur që është e sigurt” në Poloni

Atletja bjelloruse, Krystsina Tsimanouskaya, ka thënë se është e lumtur që është e sigurt në Poloni, tri ditë pasi arriti t’i shmangej tentimeve të ekipit kombëtar të saj për ta dërguar në vendlindje pasi ajo kritikoi trajnerët.

Vrapuesja olimpike kishte bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare për të shmangur dërgimin e saj në shtëpi para kohe nga Lojërat Olimpike në Tokyo.

Njëzet e katër vjeçja arriti në Varshavë gjatë natës me mbrojtje diplomatike dhe tani pritet një kërkesë për azil.

Ajo tha më 5 gusht se është mirënjohëse ndaj Polonisë për ndihmën e këtij shteti por prapë shpreson që do të kthehet ndonjë ditë në “Bjellorusinë e lirë”.

“Do të jem gati të kthehem në Bjellorusi sapo të jetë e sigurt për mua që ta bëjë këtë”, tha ajo.

“Nuk e kam tradhtuar, është atdheu im”, shtoi atletja.

Tsikhanouskaya ka thënë se nuk e ka takuar kurrë Alyaksandr Lukashenkan që e ka kapur shtetin që nga zgjedhjet e kontestuar një vit më parë. Ajo nuk pati asgjë për të thënë për të.

Por, ajo tha se gjëra “të tmerrshme” kanë ndodhur në Bjellorusi.

Rasti i atletes bjelloruse ka nxitur reagime ndërkombëtare pasi është parë si një përpjekje tjetër e regjimit të Alyaksandr Lukashenka për të shtypur kundërshtarët, mediat dhe aktivistët e opozitës.

Protestat në Bjellorusi shpërthyen pas zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht 2020, të cilat Lukashenka pretendon se i ka fituar.

Që atëherë, më shumë se 35.000 njerëz janë arrestuar dhe mijëra të tjerë janë keqtrajtuar nga policia.

Figurat kyçe të opozitës janë burgosur ose janë detyruar të largohen nga vendi.