OPINION

Ateizmi

Shkruan: Marjan Sebaj SOPI
Sot flitet për shumëçka, për probleme të ndryshme, për jetë, për ekzistencën e saj, për punë pra në përgjithësi për njeriun, dhe prapë jemi të pakënaqur me shumë pyetje e për të cilat duket se nuk gjejmë dot përgjigje. Shpeshherë në shkrimet e temat e mia kam cekur dhe gjithnjë ceku se; edhe pse ndoshta bota e sotme jeton më mirë në përgjithësi çka i përket jetës mirëqenies materiale se sa më parë, por që prapë jemi në vetvete të pakënaqur, të pavullnetshëm, të palumtur, e mos të them herë herë edhe të dëshpëruar nga e gjitha. Gjithnjë na mundon pyetja rreth prejardhjes sonë? Kështu që sot mund të themi se njeriu është më tepër të ashtu themi një lloj roboti, një „orë e kurdisur“, gjithnjë në vrap, gjithnjë në lëvizje, duket si gjithnjë në kërkim të diçkaje, mirëpo kur e pyet, ai prapë nuk din të përgjigjet nga është, kush është, nga vije dhe çka është qëllimi i tij në këtë botë, dhe atëherë çuditemi se pse gjithë ky vrap i tij, siç shprehemi “si pa kokë”, pse nuk është i lumtur, pse duket sikur i humbur në këtë kohë të konsumimit, kohë të materializmit dhe egoizmit, ku duket se gjithnjë e mundon pyetja në vetvete, se nga vjen dhe kah shkon ai?!

Pra, kur flasim mbi jetën e njeriut, gjegjësisht mbi vet njeriun ku edhe në veprat e mia si 1. Njeriu mes lirisë e përgjegjësisë pastaj 2. Njeriu pikënisje dhe qëllim i shoqërisë“ veçanërisht kam potencuar dhe potencoj se ku qëndron ajo „baraspesha ekzistenciale“, apo ekuilibri i tij, për të vlerësuar drejtë dhe për të nderuar atë marrëdhënie në të cilën është, e këto si shembull janë; qëllimi apo marrëdhënia e njeriut ndaj Krijuesit të tij, marrëdhënia ndaj vetvetes, ndaj njerëzve tjerë dhe krijesave të tjera. Dhe vetëm duke e kuptuar këtë, atëherë mundemi që në plotëni të realizojmë njerëzoren tonë. Mos të anashkalojmë apo më mirë thënë mos të harrojmë askurrë se vija e veçantë e dinjitetit njerëzor është pikërisht kjo; njeriu është i ftuar të jetë në bashkim, unitet me Zotin, dhe këtë që nga vet fillimi i krijimit të tij. Nëse shikojmë, edhe vet Bibla, apo librat e besimeve tjera (si Kurani etj.) që në fillim na shpallin apo lajmërojnë lidhje me marrëdhënien shumë të ngushtë dhe të gjallë mes Zotit dhe njeriut, dhe anasjelltas si dhe mes atij trekëndëshi në marrëdhënie njeriu me njeriun dhe Zoti. Të gjithë besimtarët e dinë apo duhet kuptuar dhe ditur se njeriu në një mënyrë është i ftuar të jetë partner i Krijuesit lidhje me zhvillimin dhe përsosmërinë e kësaj bote, saktësisht njeriu të jetë gjithnjë në dialog me te dhe anasjelltas.

Mirëpo, siç cekëm që në fillim, fatkeqësisht është fakt se sot ka njerëz që nuk e njohin dhe nuk e shohin atë marrëdhënie, d.m.th këtë ftesë drejtuar atyre, e të cilët pra nuk e njohin dhe pranojnë, apo më saktë e mohojnë Zotin, mohojnë ekzistencën e tij, apo luftojnë kundër pranimit të emrit të tij dhe këtu tanimë takohemi me termin apo dukurinë, realitetin e ateizmit.

Mohimi i Krijuesit

Është e kuptueshme pse njeriu është i pakënaqur, i mërzitur, i lodhur nga vrapi, nga kërkimi dhe prapë nuk gjen përgjigje të duhur. Po, është shumë normale se njeriu duhet të mendoj mbi prejardhjen e tij, të mendoj mbi jetën, por në njeriun ndodhë diç tmerrësisht e palogjikshme ku njeriu, krijesë Hyjnore, e mohon vet Krijuesin e tij, ku pasoja mohon vet shkakun e saj, mirëpo pranë gjithë kësaj është fakt se ateizmi sot është dukuri reale. Është fakt se ka njerëz dhe sisteme të tëra filozofike të cilat tentojnë që në mënyrë tjetër të shpjegojnë botën, ku si shkak i së gjithës nuk e shikojnë apo njohin Zotin Krijues, si një qenie të jashtëzakonshme dhe plotësisht të përsosur, plotësim i ekzistencës dhe jetës, por shikojnë në materie e cila në fillim ishte edhe pa jetë por edhe pa arsye, kurse që e gjitha u bë pastaj duke iu falënderua lëvizjes së saj evolutive gjatë kohës. Pra, këta njerëz në materie shikojnë substancën e qenies së nevojshme, e vendosin në fillim të gjithçkaje, duke e shpallur të përjetshme dhe të vetëmjaftueshme atë, e cila shkak të ekzistencës së saj ka përjashtimisht në vetvete. Kështu nga ajo sot nxirren të gjitha ligjet me të cilat jemi të rrethuar në botën fizike, biologjike dhe intelektuale.

Mirëpo, fillimisht të shikojmë dhe përcaktojmë këtë term, për të kuptuar më mirë dhe më drejt se çka do të thotë ateizëm. Pra, vet fjala „ateizëm“ ka prejardhje nga fjala greke a teon e që në vetvete do të thotë apo shënon diç që është „pa Zot“, diç që „nuk ka Zot“. Mirëpo, shquar realisht patjetër duhet cekur se ky term nuk është edhe i paqartë, mirëpo ndoshta këtu është më mirë të flitet mbi „sindromin ateist“.

Termi dhe llojet e ateizmit

Çka është ateizmi? Ateizmi është gjithsesi një pikëpamje e caktuar mbi botën. Këtu në rend të parë bëjnë pjesë ata (ato) që në mënyrë të qartë definitivisht e përjashtojnë Zotin, e ky do të ishte apo do të quhej pra; ateizëm filozofik apo ideologjik. Ateizmi i tillë është i themeluar në konceptimin e caktuar filozofik, përpiqet të arsyetoj ideologjikisht dhe sistematikisht mos ekzistencën e Zotit. Pastaj, takohemi me të ashtuquajturin ateizëm postulativ ose materialist. Këtu nuk hulumtohet filozofikisht apo në mënyrë filozofike, por se mohimi i Zotit është më tepër postulat i ideologjisë së caktuar, qëndrim ndaj zgjidhjes së jetës dhe njeriut. Për shembull i tillë mund të themi se do të ishte ateizmi i Marksit. Ky, pra, asnjëherë nuk është marrë në mënyrë doktrinale me pyetjet rreth ekzistencës së Zotit, por thjesht e ka mohuar Zotin. Deri këtu ka arrit duke kritikuar religjionin në të cilën nuk ka parë mundësinë e zgjidhjes së pyetjes rreth njeriut, përkundrazi ai ishte i bindur se religjioni edhe më tepër e tjetërson njeriun.

Marksi duke pranuar materializmin dhe shpjegimin e botës materialiste të Fojerbahut si dhe metodën e Hegelit mbi interpretimin e fenomeneve, ai thjeshtë mohon dhe përjashton Zotin si pjesë të strukturës njerëzore e cila tjetërson njeriun. Pra, këtu nuk kemi fakte apo gjë përfundimtare dhe sistematike nga e cila do të shihej se nuk ka Zot, apo që ekzistenca e tij është e pabesueshme, por këtë mund të themi se ky më tepër është postulat nga i cili nisët. Pra, ateizmi i Marksit (ateizmi Marksit) ka karakter dogmatik.

Pastaj, ka njerëz të cilët nuk e mohojnë Zotin në mënyrë të qartë, mirëpo mendojnë se lidhje me ekzistencën e tij as që mund të dinë e as të vërtetojnë gjë. Nuk thonë me ndonjë siguri se a ekziston apo nuk ekziston ai. Këtu pra fjala është për ateizëm agnostik.

Ky lloj ateizmi nuk e pranon dhe nuk llogarit se ekziston Zoti ( a – teos), pavarësisht se a ekziston apo jo ai, kështu që vlerëson dhe jeton sikur të mos ketë Zot. Mirëpo, mos të harrojmë se te shumica, metoda e studimit është e gabuar: këta do të dëshironin që Zotin ta arrijnë përmes metodës së shkencave pozitive, dhe kur nuk e arrijnë këtë, atëherë thjeshtë konkludojnë se nuk ka Zot. Ndërsa, duhet kuptuar se qenësia e Zotit i shmangët çdo lloj mase dhe përcaktimi njerëzor, pasi qenia e tij transcendente tejkalon plotësisht përtej përvojës sonë njerëzore. Kështu që, të përmbledhësh apo përfshish të gjithën në metodën e shkencave pozitive do të thotë t’ia mos qëllosh apo ta gabosh qenien Hyjnore. Këtu tani arrijmë te i ashtuquajturi ateizëm pozitiv. Dhe ky mentalitet pastaj lindë sloganin: “Shkenca ka dëshmua se nuk ka Zot” Mirëpo, ne pyesim, cila shkencë? Mos vallë Fizika? Jo, sepse ajo merret me botën materiale dhe ligjet e saj! Atëherë mos Kimia? Jo, meqë ajo merret me vështrimin e atomeve dhe ndryshimin molekular të elementeve të ndryshme si dhe marrëdhëniet e tyre! Mos atëherë Paleontologjia? E kjo merret me gërmimet dhe hulumtimet e të së kaluarës! Biologjia? Jo, sepse kjo merret, apo hulumton fenomenet e jetës në format e saj më të ndryshme! Atëherë mos Mjekësia, apo biokimia medicinale…? Pra, siç e dimë dhe e shohim se çdo është shkencë pozitive për lëndë të saj ka vështrimin dhe analizimin e një gjëje të kësaj bote tonë materiale. Kështu që, në fund asnjëra shkencë nuk merret me pyetjen e ekzistencës së Zotit. Sepse, Zoti transcendon botën materiale, kështu që është i pa kapshëm apo i pa arritshëm për cilëndo apo çfarëdo hulumtimi material!

Kur bie fjala lidhje me ateizëm pozitiv, të cekim edhe një slogan të saj; ” I besoj pra vetëm asaj që e shoh me sy!” Ky është pretendim shumë arbitrar dhe injorant, sepse mjafton të kujtojmë se jo e gjithë bota materiale është objekt i përvojës sonë, veçanërisht përvoja vizuale. Ne përfundojmë për shumë realitete të botës materiale vetëm mbi bazën e veprimit të veçantë që vëzhgojmë në materie. Pra, njeriu ende qëndron para materiales në atë masë sikur para një misteri që përkundër të gjitha angazhimeve tona në botën materiale, të cilat shpesh janë analitike dhe precize, ku ne ende nuk e dimë përgjigjen e pyetjes; Çka është materia? A është atëherë çudi që Zoti është “i fshehur” për kërkimet tona materiale?

Kur të shikohen të gjitha këto që i cekëm deri më tani, ka njerëz të cilët botëkuptimin e tij e formulon kështu: “Nuk e di a ekziston Zoti. Mirëpo, një forcë duhet të ekzistoj!” Me këtë rast nuk dimë se a flitet këtu tani për teizëm apo ateizëm, vërtetë vështirë është të dimë këtë. Pra, çka është ajo “Forcë” – me këtë rast kjo është pyetja themelore. Nëse pra, kjo “forcë” nuk është asgjë më tepër se forca materiale, atëherë këtu bëhet fjalë për materializëm; mirëpo, nëse pra nën termin e tillë mendohet në Qenien më të lartë, të ndryshme nga kjo botë materiale, atëherë këtu është fjala për teizëm! Megjithatë, shpesh kjo shprehje është më shumë, më tepër, një arratisje apo ikje nga manifestimi i qartë i bindjes së tij.

Kur është fjala për ateizëm, gjithsesi një kujdes të veçantë meriton i ashtuquajturi ateizëm praktik. Si dukuri ky ateizëm është përhapë dhe përhapët më së shumti në vendet e zhvillimit të lartë, në vendet e zhvilluara dhe të pasura ekonomikisht. Sipas disa statistikave në të cilat hasa, shkruhet se vendet nordike prijnë me këtë lloj ateizmi, si shembull Suedia me përqindje ka rreth 50% të popullatës së deklaruar ateistë praktik, po ashtu është edhe në vendet tjera nordike si Norvegjia, Finlanda etj.…faktikisht kjo është një jetë e një vetë-mjaftueshmërie të caktuar. Jetohet ashtu sikur të mos kishte Zot fare, që do të thotë se teorikisht nuk e mohon askush ekzistencën e tij, e që i bie se në praktikë (praktikisht) mohon ekzistencën e Zotit. Pra, në rrethet e tilla dhe tek ata individ, në Zot nuk llogaritët aspak, kështu që shpeshherë flitet dhe shkruhet mbi “Zotin e vdekur” apo “Zotin i cili ka vdek!”

Siç shohim, kur është fjala për shkencat pozitive, kemi cekur më parë se ato nuk mundin me metodat e tyre as të dëshmojnë, e as ta mohojnë Zotin. Mirëpo, atë çka ato mundin, është tregues për atë, duke na zbuluar pasojat e veprimtarisë së tij. Këtë ato e bëjnë pikërisht duke eksploruar saktësisht këtë botë materiale, duke zbuluar ligje të thella, lidhje dhe veprimtari të qëllimshme brenda botës materiale. Kështu p.sh. e dimë se mjeku dhe naturalisti suedez me emrin Carl Linne (1707 – 1778), i cili faktikisht solli apo prezantoi nomenklaturën binare me të cilën çdo bimë dhe kafshë ka emrin, gjininë dhe llojin, e në një moment gjatë punës tij i mahnitur dhe ngazëllyer mbi pasuritë e jetës, brohoriti: “Pashë Zotin të kalojë, dhe unë u shtanga!” Mjafton të ndalosh mbi një gjethe të një bime! Ajo, vërtetë Ai është një fabrikë e vërtetë që shndërron lëndën inorganike në lëndë organike! Njerëzimi ende nuk ka një fabrikë të tillë nëse do të kishim, do të zgjidhnim problemin e ushqimit! Dhe nëse do të kemi ndonjëherë një gjë të tillë, ne do të duhet të jemi studentë të asaj gjetheje më parë, të studiojmë se si ajo e bënë atë, më pas të bëjmë studime të shkëlqyera dhe së fundi të shkruajmë libra studimi. Kush pra pastaj mund të marrë guxim e të thotë se ajo gjethe punon apo vepron pa lidhje, pa koordinim e që nuk njeh veprim të qëllimshëm? Kurse edhe më vështirë është të supozosh se para të gjithave qëndron vetëm materia edhe atë në formën më primitive të saj, përfundon studiuesi Linne.

A mos vallë nuk kërkohet këtu besimi më i fortë, dhe se a mos është këtu më vështirë të besohet se jeta ka filluar nga mosjeta, materia e vdekur, se sa të besosh se në fillim, para së gjithave qëndron Qenia e cila është plotësimi i jetës dhe ekzistencës sonë?! Në rast të parë pasoja do të ishte më e madhe se shkaku?! Kështu që, duhet theksuar se shkencat pozitive nuk mund të provojnë (d.m.th. tregojnë) Zotin, mirëpo duke zbuluar pasurinë e botës materiale fuqishëm shtyjnë njeriun që të kërkoj shkakun e parë. Dhe duke ndjekur pastaj këtë rrugë, atëherë njeriu mund edhe të zbuloj Zotin. Kështu që lirisht mund të themi se; shkenca apo njohuri janë më të pakta ato që të largojnë nga Zoti, kurse shumë e më shumë shkenca (njohuri), të sjellin (afrojnë) te Zoti!

Prandaj, nuk kemi nevojë “të frikësohemi për Zotin” sepse sa më shumë që përparon shkenca natyrore, përkundrazi, duhet edhe më tepër të gëzohemi, sepse ajo zbulon “shenjat e gishtërinjve” të kryerësit, dhe shkaktarin e krijimit të kësaj bote tonë materiale.

Aty – këtu mbi shkaqet e ateizmit

Pas kësaj që pamë shkurtimisht mbi ateizmin, tani do të cekim e do të themi diç mbi shkaktarët e ateizmit. Vërtetë është për tu çuditur se si në një mënyrë mund të themi se ateizmi është „fëmijë“ në mesin apo rrethin e krishterë! Kuptohet se këtu tanimë shtrohet pyetja: Çka dështoi këtu?! Shpallja, dëshmia? Përvoja e krishterë?Përvoja e besimtarit? Pra, si erdhi deri këtu që njeriu aq shumë ta çmoj apo thënë më mirë të vlerësoj vetën dhe njohurin e tij, saqë brenda botës dhe civilizimit të krishterë, po edhe vet i pagëzuar, menjëherë, me automatizëm e befasisht, të pohoj se nuk ka Zot?!

Siç kemi cekur më parë, shkaktarët si dhe vet ateizmi janë të shumtë. Shpeshherë kjo është një lloj preteksti kundër të keqes në botë, kundër vështirësive që i kanë ndodhur njeriut, kështu që në gjithë këto e ka vështirë të gjejë e të njoh Zotin i cili kujdeset për këtë botë, i cili i donë njerëzit. Kështu që qyshmë atëherë kërkohet Zoti (kurse çdo njeri deshi apo jo është kërkues i Zotit, kërkon Zotin) në të mirat e krijuara, në shkencë, teknikë, zhvillimin njerëzorë, ku nga to kërkon dhe pret zgjidhjen për njeriun dhe këtë botë. Bota në të cilën jetojmë shpeshherë vështirëson, pengon, arritjen te Zoti, pasi që njeriu jep siguri të rremë dhe ndjenjë të vet – mjaftueshmërisë.

Pra, mund të themi lirisht se një përgjegjësi të madhe lidhje me ateizëm bartin edhe vet besimtarët. Ata do të duhej të dëshmojnë me jetë, vepra dhe fjalë, ata do të duhej t‘i „tregojnë“ botës së sotme Zotin, kurse fatkeqësisht shpeshherë dhe pikërisht ata janë demant, apo mohim i tij. Këtu vije në pyetje edukimi i krishterë i dobët dhe i lënë anash, predikim e shpallje e pamjaftueshme dhe e dobët e Ungjillit, mbyllja e kishës brenda katër mureve në hapësirat e veta, dobësimi i vetëdijes misianike, mbështetje vetëm në shoqëri të caktuar të klasës shoqërore etj..

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.