KULTURË

Ata që ia mësynë “Shtëpisë së Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova” është dashur të kthehen prapa…

Në ditën më të rëndësishme në kalendarin e festave shtetërore në Kosovë, ky muze ka pasur të mbyllur derën për vizitorët e shumtë që kishin vërshuar rrugët e kryeqytetit.

Para shtëpisë njëkatëshe në rrugën “Enver Zymberi”, ku dikur kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më vonë edhe e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), nuk valëvitej asnjë flamur kombëtar apo shtetëror. Të hënën ekipi i gazetës ka vizituar tri herë radhazi Muzeun, por dera ka qenë e mbyllur, ndërkohë që para saj parkoheshin makinat e frekuentuesve të restorantit aty afër. E pavarësisht kësaj, një pllakë vazhdon të qëndrojë në murin e jashtëm të Muzeut, që thotë se orari i vizitave është nga ora 10:00 deri më 17:00 nga e hëna deri të shtunën.

Sipas nenit 21 të Statutit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” bashkë me kompleksin etnologjik “Emin Gjiku” konsiderohen si pjesë e MKK-së.

Por faqja e saj në “Facebook” nuk përmban asnjë njoftim të vetëm në gjuhën shqipe apo atë angleze për qëllimin e shtëpisë muzeale. Vjegëza lajmesh nga portale të ndryshme e sondazhe politike për LDK-në janë përmbajtja e vetme në faqen e këtij institucioni kulturor.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Ajet Leci, ka thënë se deri në muajin dhjetor aty ka punuar një recepsionist pa kontratë.

“Ai këtë punë e kryente në mënyrë vullnetare. Muzeu ka pasur probleme me një renovim të bërë disa vite më parë”, ka thënë Leci nëpërmjet telefonit.

Ai ka bërë me dije se MKK-ja ka bërë kërkesë që, në kuadër të anekseve të institucionit që ai drejton, të rinovohet edhe ky muze.