SHËNDETËSIA

AstraZeneca: Fillon prodhimin e vaksinës për koronavirus

Kompania farmaceutike AstraZeneca do të fillojë prodhimin e vaksinës potenciale për koronavirus, ka thënë shefi i kësaj kompanie për BBC-në.

Testimet klinike për këtë vaksinë janë ende në zhvillim e sipër, por Pascal Soriot ka thënë se kjo kompani duhet të nisë prodhimin e dozave tani, në mënyrë që të përmbushë kërkesën e madhe, nëse vaksina tregohet efektive.

“Jemi duke nisur prodhimin e kësaj vaksine që nga tash, dhe duhet ta kemi të gatshme për përdorim momentin që të kemi rezultate”, tha ai.

AstraZeneca thotë se do të mund të prodhojë 2 miliardë doza të vaksinës.

Duke folur për programin Today të BBC-së, Soriot tha se prodhimi po fillonte tani sepse “dëshirojmë të jemi sa më të shpejtë që është e mundur”.

“Natyrisht, ky vendim vjen me rrezikun, por është rrezik financiar nëse vaksina nuk funksionon”, ka shtuar ai.

“Atëherë i gjithë materiali, të gjitha vaksinat e prodhuara do të shkojnë dëm”.

Ai ka shtuar se AstraZeneca nuk do të kërkon profit nga prodhimi i vaksinës gjatë pandemisë.

Nëse funksionon, kompania do të jetë në gjendje të prodhojë 2 miliardë doza pasi që ka nënshkruar dy kontrata të reja të enjten, njëra prej tyre me filantropin miliarder Bill Gates.

AstraZeneca, e cila po e zhvillon vaksinën me shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit, ka rënë në dakord për dhënien e gjysmës së dozave shteteve të varfra dhe atyre të mesme.

Një nga partneritetet e reja që ka nënshkruar kjo kompani është me Serum Institute of India (SII), prodhuesi më i madh i vaksinave në botë sipas numrit, ndërsa tjetra është një marrëveshje prej 750 milionë dollarë me organizata shëndetësore të përkrahura nga Billl dhe Melinda Gates.