SHËNDETËSIA

Asnjë rast i koronavirusit në Kosovë, IKShPK-ja mobilizohet nëse shfaqet ndonjë

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, sot është mbajtur një takim i Komitetit për monitorimin e Sëmundjeve Ngjitëse, ku është diskutuar për pneumoninë virale me koronavirus (nCoV-2019).

Përmes një njoftimi publik, theksohet se drejtori ekzekutiv i Institutit Kombëtar, Prof. Dr. Naser Ramdani, tha se tashmë koronavirusi e ka marrë emërtimin e ri, COVID-19.

Ai e potencoi faktin se deri më tani, në Kosovë nuk ka asnjë rast të konfirmuar zyrtarisht, me koronavirus.

Doktor Bashkim Gllareva, pjesë e ekipit mjekësor të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, tha se deri më tani, në aeroport janë bërë 12 ekzaminime të personave të dyshuar me këtë virus, ku pjesa më e madhe e tyre, ka ardhur nga vendet endemike. Mirëpo, sipas tij, asnjëri nga ta nuk ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Gjithashtu, ai tha se në aeroport gjenden dy dhoma të izolimit, ku mund t’i fusin personat e dyshuar, deri sa ata të dërgohen në Klinikën Infektive.

Dr. Xhevat Jakupi-Shef i departamentit të Mikrobiologjisë, në Institutin Kombëtar, tha se tashmë i kanë marrë testet për testimin e koronavirusit, me anë të të cilëve mund të testohen deri në 650 persona të dyshimtë.

Dr. Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë tha se fillimisht nevoja më urgjente është për furnizim me pajisje personale mbrojtëse. Ndërsa sa i përket komunikatave të publikuara, tha se ato kanë rëndësi të madhe, sepse sipas tij, opinioni dëshiron që informatën ta marrë nga institucionet zyrtare.

Dr.Lindita Ajazaj, drejtoreshë e Klinikës Infektive, tha se në këtë Klinikë janë gjithsej 21 infektolog, dhe 72 infermierë, gjë që sipas saj mund të paraqesë probleme, në rast të paraqitjes së ndonjë rasti me koronavirus, për shkak të numrit të vogël të stafit, për t’u ballafaquar me rastet eventuale.

Bafti Murati, nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, tha se janë në gjendje gatishmërie, për të vepruar në rast të ekzistimit të mundësisë së përhapjes së këtij virusi, nga kafshët tek njeriu.

Komiteti për monitorimin e sëmundjeve ngjitëse ka plotësuar të gjitha rekomandimet e OBSH dhe ECDC në koordinimin e aktiviteve, menaxhimin dhe informimin e qytetarëve për Koronavirusin e ri COVID-19.

Leave a Reply

Your email address will not be published.