SPORT

Asllani e lumtur që në Suedi u prit si heroinë

Kosovare Asllani ka një pikëpamje krejtësisht tjetër prej trajnerit të Anglisë, Phil Neville, që ndeshjen për vendin e tretë në botërorin e femrave “Franca 2019” e quajti të pakuptimtë. Në fakt, Asllani ka plotësisht të drejtë për këtë dhe me mendimin e saj pajtohen edhe suedezët.

Kur ekipi i Suedisë u kthye në shtëpi pas fitores ndaj Anglisë që i siguroi medaljen e bronztë, u prit nga 30 mijë tifozë në Gothenburg, shkruan The Guardian, përcjell sot Koha Ditore.

Asllani ishte figurë kyç e Suedisë në këtë botëror.

“Ishte një shenjë se kombi u ndie krenar me suksesin tonë”, thotë Asllani, që në dy ndeshjet e para të Botërorit shënoi nga një gol kundër Kilit e Anglisë. Pritja e befasishme erdhi si një befasi e këndshme për ekipin që u eliminua në gjysmëfinale të Botërorit. Asllani thotë se askush brenda ekipit nuk e ka pasur idenë për një pritje të tillë.

“Kur pamë 30 mijë njerëz që po na prisnin sikur heroina, aty e kuptuam se në Botëror e kemi pasur përkrahjen e gjithë shtetit. Kështu që, medalja e bronztë nuk është vetëm për lojtaret, por për gjithë Suedinë. Shpresoj që me këtë sukses t’i motivojmë gjeneratat e reja dhe të jemi shembull i vërtetë në sport”, është shprehur Asllani.

Edhe pse e vlerëson si sukses të madh medaljen e bronztë, Asllani pranon se Suedia shumë lehtë ka mundur të luajë edhe në finalen e këtij botërori, të cilin e fitoi SHBA-ja. Në gjysmëfinale Suedia u eliminua nga Holanda pas vazhdimeve.

“Kemi mundur ta fitojmë këtë ndeshje, por fati nuk ishte në anën tonë, pasi qëlluam disa herë shtyllën. Nuk jemi larg Holandës dhe përfundimisht mund të matemi me këtë ekip. Më duhet të pranoj se kam ëndërruar të luajmë në finale, por edhe medalja e bronztë është një sukses i madh. Kjo vetëm na motivon për suksese në botërorin e ardhshëm dhe Lojërat Olimpike. Besoj fuqishëm që në Tokio do të rrëmbejmë medalje”, është shprehur Asllani.

Mentaliteti fitues i Asllanit ka bërë që ajo të habitet me përgjigjen e trajnerit të Anglisë, Neville që ndeshjen për medaljen e bronztë e quajti të pakuptimtë. Ajo thotë se Suedia ishte futur maksimalisht e motivuar për këtë ndeshje, pasi dëshironte që nga kjo ngjarje e madhe e futbollit të kthehej me medalje.

“Çdo ndeshje në Botëror është e rëndësishme, kështu që u befasova nga fjalët e trajnerit Neville. Nëse do ta kishim humbur ndeshjen për vendin e tretë nga Anglia, do të isha shumë e zhgënjyer. Medalja është rezultat i punës dhe lojës së mirë që e kemi treguar në Botëror dhe për këtë jam shumë krenare”, ka thënë Asllani. “Me këtë sukses dëshmuam se jemi ekip i fortë, i cili ka dëshirë të luajë futboll ofensiv”.

Ajo më herët ka marrë pjesë edhe në Lojërat Olimpike të vitit 2012 dhe 2016, duke fituar medaljen e argjendtë. Futbollistja me prejardhje nga Kosova prej vitit 2017 është pjesë e Linkopingsit, kurse karrierë ka bërë edhe te Manchester City, PSG-ja, Kristianstadsi e Chicago Red Stars.

“Ky është suksesi më i madh që e kemi arritur në Botëror, i cili ka bërë që të kemi një pritje madhështore në vendin tonë. Jam shumë e lumtur që pas medaljes së argjendtë që e fitova në Lojërat Olimpike para tre vjetësh, tani kam edhe një të bronztë nga një ngjarje tjetër e madhe e futbollit të femrave”, është shprehur Asllani.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.