Kosova

Askush nuk mund të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës, as ndërkombëtarët, vetëm nëse…

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa nuk po arrijnë të gjejnë një zgjidhje për të qeverisur së bashku.

Vetëvendosje dhe LDK nuk po pajtohen në ndarjen e posteve, dhe kjo e ka bërë marrëveshjen vështirë të arritshme. Në mënyrë që të gjendet një pajtim mes tyre, ata ftuan ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova të jenë prezent në takim.

Takimi në mes tyre ndodhi dje dhe zgjati pothuajse tre orë, mirëpo as nga ky takim nuk pati ndonjë rezultat.

Edhe pse ndërkombëtarët më herët është thënë se kanë ndërhyrë në krijim të qeverive, këtë herë Ambasadorët së bashku me Apostolova deklaruan se nuk duan të ndërhyjnë në çështje të brendshme, por kërkuan që qeveria të krijohet sa më shpejt.

Njohësi i çështjeve politike, Afrim Hoti, i ka thënë lajmi.net se ndërhyrje në këtë rast nuk ka pasi ato bëhen vetëm kur kërkohet një gjë e tillë.

“Tani kjo nuk ndodhë, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, dhe normalisht ndërhyrjet nga jashtë bëhen në rast kur kërkohet një gjë e tillë. Në takimin e djeshëm sipas raportimeve VV dhe LDK i kanë ftuar Quint-in vetëm si spektator që ata t’i dëgjojnë opsionet që palët shpalosin”, ka deklaruar Hoti.

Sipas tij, ndërkombëtarëve, veçanërisht misioneve diplomatike nuk iu lejohet të ndërhyjnë në politikën e brendshme.

“Është fund e krye çështje e subjeketeve tona politike për me u marrë vesh se si do bëhet koalicioni, ata mund të ofrojnë ndërmjetësim nëse institucionet vendore kërkojnë një gjë të tillë”.

I pyetur nëse insistimi për të mos ndërhyrë në krijim të qeverisë vjen për shkak të deklaratave të mëhershme të Kurtit ndaj ndërkombëtarëve, Hoti ka thënë se nuk beson që ka të bëj me të.

“Pavarësisht deklaratave të mëparshme, Kurti është fitues i zgjedhjeve në Kosovë dhe rrjedhimisht ai është mandatar për formimin e qeverisë”, ka përfunduar Hoti.

Ndërsa, analisti Rrahman Paçarizi, ka thënë për lajmi.net, se mosbesimi që kanë LVV dhe LDK për njëra tjetrën, arritja e marrëveshjes me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve do ta bënte edhe më pak të besueshme.

Sipas tij, ka qenë Kurti ai që gjithmonë i ka kritikuar liderët e tjerë për përfshirjen e ndërkombëtarëve në situata të tilla ndërsa tani situata nuk është krejt e qartë pasi nuk po dihet saktë kush po e kërkon ndërhyrjen e tyre.

Shfaq më shumë
//zikroarg.com/4/3473483