Kosova

Askush nuk do të mund të votojë më 6 tetor pa dokumente valide të Kosovës, as serbët

Më 6 tetor, ditën kur qytetarët do t’u drejtohen kutive të votimit, votën e tyre ata do të mund ta japin vetëm nëse posedojnë dokumente të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Asnjë dokument tjetër identifikimi : letërnjoftim, pasaportë apo patentë shofer, nuk do të vlejë ditën e zgjedhjeve, raporton KTV.

Ky është Udhëzimi Administrativ që për herë të parë e nxori të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili i obligon Komisionet Zgjedhore Komunale dhe Këshillat e Vendvotimeve që ta respektojnë.

Me këtë udhëzim, komunitet pakicë, kryesisht ai serb, për dallim prej proceseve të tjera zgjedhore që votonin me dokumente serbe, kësaj radhe nuk do të mund ta bëjnë një gjë të tillë.

Se KQZ-ja gjatë proceseve zgjedhore kryesisht ato lokale, i ka mbyllur sytë duke lejuar identifikimin e personave për të votuar edhe me dokumente tjera jo kosovare, e thonë edhe monitoruesit e zgjedhjeve. Mirëpo, sipas KDI-së, ky vendim është marrë në përputhshmëri me Ligjet në fuqi, derisa i ka bërë thirrje KQZ-së të mos lëshojë pe ditën e zgjedhjeve.

Në zgjedhjet e 2013-s, me ndërmjetësimin e OSBE-së, e që ka rol këshillëdhënës, gjatë procesit zgjedhor në veri të vendit, serbëve u ishte lejuar votimi edhe me dokumente serbe. Ndërkaq, ditën kur KQZ-ja e mori këtë vendim, anëtari i saj, Stevan Veselinoviq, e braktisi mbledhjen me arsyen se ky vendim ishte antiligjor dhe, sipas tij, ua pamundëson serbëve të votojnë dhe t’i zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published.