SPORT

Askund si në Kosovë!

Viteve të kaluara, kur kishim dy skuadra të ndryshme fituese të titullit dhe të Kupës, zhvillohej ndeshja e Superkupës.

Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë në edicionin e sivjetmë, pasi në të dyja garat Feronikeli është shpallur kampion, kështu që ndeshja për Superkupën e Kosovës nuk do të zhvillohet fare.

Por një praktikë e tillë nuk ndodh në shtete tjera, pasi pa marrë parasysh faktin se një skuadër është fituese, atëherë zhvillohet edhe Superkupa si uverturë e edicionit të ri. Kjo praktikë është si në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani ose edhe në Francë.

Feronikeli është shpallur kampion i Kosovës për edicionin 2018 – 2019, pasi në ndeshjen e fundit, atë të xhiros së 33-të, e mundi Prishtinën me rezultat 1:0, fitore kjo që ia siguroi trajnerit Zekirija Ramadani titullin me skuadrën e tij në këtë edicion.

Ndërkohë Feronikeli e fitoi edhe ndeshjen finale të Kupës së Kosovës, duke e mundur Trepçën ’89 me rezultat 5:1 në një ndeshje që nuk pati rivalitet të madh, ndonëse drenicasit kishin menduar se “Xehetarët” do të kërkonin më shumë nga kjo ndeshje, e cila do t’i kualifikonte ata në garat paraeliminatore për Ligën e Evropës.

Viteve të kaluara, kur kishim dy skuadra të ndryshme fituese të titullit dhe të Kupës, zhvillohej ndeshja e Superkupës. Por një gjë e tillë nuk do të ndodhë në edicionin e sivjetmë, pasi në të dyja garat Feronikeli është shpallur kampion, kështu që ndeshja për Superkupën e Kosovës nuk do të zhvillohet fare.

Por një praktikë e tillë nuk ndodh në shtete tjera, pasi pa marrë parasysh faktin se një skuadër është fituese, atëherë zhvillohet edhe Superkupa si uverturë e edicionit të ri. Kjo praktikë është si në Angli, Spanjë, Itali, Gjermani ose edhe në Francë.

Salihu: Superkupa nuk ka logjikë

Për atë se a është e nevojshme ose e domosdoshme të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës për edicionin e sivjetmë, “Zëri” ka biseduar me sekretarin e përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, trajnerët Bekim Isufi dhe Alban Dragusha, të cilët kanë dhënë mendime të ndryshme sa i përket Superkupës.

“Superkupën nuk mund ta fitojë një skuadër që nuk është kampione e as fituese e Kupës. Por besoj se do ta luajmë një ndeshje ekzibicionale”, ka thënë Salihu, teksa ka shtuar se nuk është e logjikshme që Superkupën ta fitojë ndonjë skuadër që nuk e ka fituar as titullin e as Kupën e Kosovës. “Nuk ka logjikë ta fitojë dikush Superkupën që nuk është shpallur kampion dhe nuk ka fituar Kupën e Kosovës”, shtoi Salihu, i cili mendon se para fillimit të edicionit të ri mund të zhvillohet një ndeshje ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës.

“Para fillimit të kampionatit besoj se do ta zhvillojmë një ndeshje, për shembull Feronikeli me nënkampionin FC Prishtinën, por që kjo e fundit edhe nëse fiton nuk mund të quhet fituese e Superkupës, pra kjo ndeshje zhvillohet për shikues. Këtë edicion Superkupa i takon Feronikelit”, tha Eroll Salihu, sekretar i përgjithshëm i FFK-së.

Isufi: Duhet të zhvillohet ndeshja për Superkupën e Kosovës

Mendim të kundërt me sekretarin Salihu ka trajneri i njohur kosovar Bekim Isufi, nën drejtimin e të cilit Drita në edicionin e kaluar ishte shpallur kampione e Kosovës, duke luajtur edhe në ndeshjet paraeliminatore për Ligën e Kampionëve. “Do të ishte mirë që Superkupa të zhvillohet, sepse është ndeshje revyale”, tha Isufi, duke dhënë një arsyetim goxha të fortë. “Kjo ndeshje zhvillohet në mbarë botën, andaj duhet të zhvillohet edhe në Kosovë”, tha Bekim Isufi për “Zërin”.

Superkupa ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës

Mendim të njëjtë si trajneri Bekim Isufi ka edhe ish-futbollisti i njohur kosovar, që ka bërë karrierë edhe në Shqipëri, Alban Dragusha. Ai mendon se duhet të zhvillohet ndeshja e Superkupës së Kosovës në futboll, teksa ka thënë se edhe kush duhet të luajë në këtë ndeshje.

“Unë mendoj se duhet të luhet Superkupa, edhe pse Feronikeli është fitues i dyfishtë”, tha trajneri i KEK-ut Dragusha, duke shtuar se në këtë sfidë duhet të takohen Feronikeli dhe Prishtina. “Superkupa duhet të luhet ndërmjet Feronikelit dhe Prishtinës”, tha në fund trajneri Alban Dragusha.

Të përkujtojmë me këtë rast se vitin e kaluar ishte zhvilluar Superkupa e Kosovës ndërmjet Dritës (kampione) dhe FC Prishtinës (fituese e Kupës), e cila kishte përfunduar me fitoren e Dritës me rezultat 2:1, ndeshje kjo e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.