Asambleja Parlamentare voton pro anëtarësimit të Kosovës në KiE – tani çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (APKiE) miratoi Opinionin pozitiv për anëtarësimin e Kosovës si shtet anëtar.

Ky Opinion rekomandon anëtarësimin e plotë të Kosovës, pa asnjë parakusht shtesë, si shtet evropian sipas nenit 4 të Statutit dhe duke hequr fusnotën nga denominimi.

“Mirëpresim amandamentet e propozuara dhe miratuara të cilat kërkojnë që të avancohen të drejtat civile të qytetarëve të Kosovës dhe jemi të lumtur që Opinioni u mbrojtë nga amandamentet të cilat do ta pengonin procesin e anëtarësimit”, tha zevënësministri i punëve të jashtme Kreshnik Ahmeti.

Rezultati i sotëm është sukses i angazhimit intensiv të të gjitha institucioneve të Kosovës dhe koordinimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtar. Gjithashtu, mbështetja e fuqishme demokratike në APKiE duhet të shihet si sinjal pozitiv nga Komiteti i Ministrave që ta trajtojë aplikimin e Kosovës në muajin maj të këtij viti.

Juristë Eminent të KiE konfirmuan që Kosova plotëson standardet, raportueset politike konfirmuan që Kosova plotësoi parakushtet, APKiE që nga sot rekomandon anëtarësimin. Prandaj, nuk ka asnjë arsyje për hezitim, shtyrje e aq më pak kundërshtim të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Go to TOP