KULTURË

Artistja kosovare me zërin e refugjatëve në muzeun londinez

Valltarët shërbejnë si metaforë për popullin britanik: multiracor, multikulturor dhe progresiv. Paraqiten në pamje e gjini të ndryshme. Të gjithë të veshur neutral, punojnë së bashku dhe në këtë formë prezantojnë ndërgjegjen kolektive të popullit britanik. Me lëvizje gërshetojnë shumë mirë muzikën dhe mesazhet me audio që dëgjohen në sfond.

Shpalosen nga artistja e njohur Zena Edwards, e cila është poete dhe performuese që përmes këngës, lëvizjes dhe influencave globale të jazzit dhe hip-hopit ka krijuar një stil të vetin unik. Ka performuar nëpër festivale të ndryshme në mbarë botën me artin e saj muzikor, shkruan sot Koha Ditore.

Krejt kjo është përmbledhur në një video-performancë të realizuar nga artistja kosovare, e cila jeton në Londër, Alketa Xhafa-Mripa. E titulluar “Britain is Still Speaking”, të premten u shfaq në muzeun “Victora and Albert Museum” në Londër, një prej muzeve më të mëdhenj në botë për artet dekorative dhe dizajn, me më shumë se 2.3 milionë eksponate, i themeluar në vitin 1852 në nderim të mbretëreshës Viktoria dhe princit Albert.